Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes postimit në facebook, ka dhënë një sqarim për opinionin publik, lidhur me bllokimimin e hyrjes së tunelit të Llogarasë pak orë më parë, për shkak të rrëshqitjes së dherave në rrugë dhe disa punimeve në zonë, sollën bllokimin e qarkullimit të mjeteve për disa minuta.
Postimi i ARRSH
Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron opinionin publik se bllokimi i rrugës në dalje të Tunelit të Llogarasë gjatë ditës së sotme është kryer në kuadër të masave të sigurisë për punimet që po zhvillohen në rrugët lidhëse të tunelit.
Shpërthimi i planifikuar u realizua në orën 12:30, në prani të Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin dhe menaxhimin e qarkullimit të mjeteve. Duke qenë se trafiku në këtë periudhë është minimal, rruga u bllokua për rreth 20 minuta. Pas përfundimit të procesit dhe pastrimit të zonës, qarkullimi vijoi normalisht.
Punimet janë pjesë e segmentit rrugor të rrugëve lidhëse me Tunelin e Llogarasë dhe synojnë rehabilitimin e rrugës ekzistuese në një gjatësi prej rreth 1 km nga dalja e tunelit në anën e Palasës deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë–Dhërmi. Aktualisht po punohet për zgjerimin e aksit ekzistues, si dhe për ndërtimin e një aksi të ri prej rreth 600 metrash, ku po kryhen punime gërmimi për trupin e rrugës.
Gjatë procesit të gërmimeve, në rastet kur konstatohet material i fortë shkëmbor, është e domosdoshme përdorimi i shpërthimeve me sasi të vogla eksplozivi. Parashikohet që të realizohen edhe 5–6 shpërthime të tjera, ku shpërthimi i radhës mund të kryhet ditën e mërkurë.
Punimet po vijojnë me ritëm të lartë me qëllim përfundimin e tyre përpara sezonit veror.
Autoriteti Rrugor Shqiptar falënderon qytetarët për mirëkuptimin