Sot zhvillohet seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Sipas avokatit Ellis, Prokuroria në mënyrë të gabuar ka bërë përpjekje që të lidhë praninë e Jakup Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.
“Ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë bazën dhe pa konfirmuar që prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht që ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se ekziston një provë”, ka deklaruar avokati.
“Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që e ka zhvilluar një vizitë në zonën e Llapit në gusht të vitit 1998, por Prokuroria nuk e vërteton që delegacioni të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Prokuroria pretendon se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë asaj vizite. Kjo nuk mjafton që të dilet në përfundimin se ai ka pasur dijeni për ndalimet e personave atje”.
Sipas avokatit, “Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që Krasniqi ka kontribuuar për krimet që janë kryer në cilësinë e tij si zëdhënës”.
Pas mbrojtjes, trupi gjykues do të ketë hapësirë për të parashtruar pyetje për palët dhe më pas radhën e ka Prokuroria. Deri më tani deklarata përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.









