Grupi parlamentar i Partisë Socialiste paraqet sot në Kuvend propozimin për ndryshime ligjore sa i përket kompetencave të gjykatave në lidhje me shkarkimet e ministrave.
Kryeministri Rama njoftoi dje, se sot në mëngjes grupi parlamentar i PS-së do të zhvillonte një mbledhje në praninë e mediave, ku do të diskutohej për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencave mes ekzekutivit dhe gjykatave lidhur me vendimin për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kreu i qeverisë theksoi se pezullimi i një ministri për një masë sigurimi penal nuk mund të bllokojë funksionet e tjera të ekzekutivit dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e ligjvënësit dhe ekzekutivit.
Ai po ashtu u shpreh se gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.









