Mario Çela, i ekstraduar nga Belgjika, është paraqitur në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore.
Ai ka shfaqur shqetësime të shëndetit dhe ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit për qëllime mjekësore. Çela ka mbërritur në Shqipëri me një epikrizë të shtuar, pas ekstradimit nga Belgjika, ku ishte i paraburgosur.
Çela ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas masës së sigurisë “Arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme për Krime të Rënda, për akuzat e “Vrasje me paramendim”, “Organizata kriminale”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve”, dhe “Korrupsion aktiv në sektorin privat”. Ai u arrestua nga autoritetet italiane në qershor 2024 dhe iu dorëzua Belgjikës për një vrasje të ndodhur në Antwerp.
Në Shqipëri, Mario Çela ishte i përfshirë në një operacion të SPAK, ku u godit një grup kriminal i drejtuar nga vëllai i tij, Suel Çela. Grupi u godit sërish në korrik të vitit të kaluar, me ndihmën e autoriteteve italiane, duke çuar në arrestimin e anëtarëve të organizatës.
/5pyetjet.al









