Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediat, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e opozitës, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të kundërshtuar atë që ai e quajti dhunë ndaj qytetarëve dhe kontrollin nga klanet e drogës dhe patronazhistët.
Berisha u ndal edhe te akuzat për aferat e ministrit Balluku, duke theksuar se ato janë të lidhura ngushtë me kryeministrin Edi Rama.
“Sot në orën 19:00 qytetarët ngrihen në protestë, mbi dhunën e territorit dhe klaneve të drogës, e policisë së patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Qytetarët ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike, të vetat, të qytetarëve shqiptarë. Ngrihen për të mbrojtur identitetin dhe nderin e çdo shqiptari, ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Rama. Ai përdori 83 mandatet e krimit për të mbuluar vjedhjet e tij dhe të Ballukut. Akti i fundit i Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore, ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Bllokimi i heqjes së imunitetit për mosarrestimin e Ballukut, ishte mburojë për veten e tij. Ai në dosjen Balluku është aksioner i të paktën 60 % të veprave kriminale që mban ajo dosje, 1.2 mld euro. Qytetarët shqiptarë kanë sot 1 mijë e 1 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe frikës që të bashkohen me ne në kryengritjen paqësore.”









