Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend, mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme, paralajmëron koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, i cili më herët ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Debati për këtë çështje u iniciua këtë javë, kur gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, tha se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.
Aktualisht, në KFOR shërbejnë rreth 590 forca amerikane. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 19 shkurt, një zyrtar i Pentagonit tha se “sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”.
“Shtetet e Bashkuara po rishikojnë pozicionin e tyre ushtarak në botë – me theks tek aleatët evropianë të NATO-s që të fokusohen në mbrojtjen kolektive në Evropë, ndërsa SHBA-ja t’i japë prioritet rolit të saj në Paqësor dhe në Hemisferën Perëndimore.
Në këtë kontekst, priten ndryshime në dislokimin e forcave amerikane në Evropë. Kjo është edhe arsyeja përse kapaciteti i aleatëve evropianë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në Evropë, është tejet i rëndësishëm.
Roli udhëheqës i Bashkimit Evropian në normalizimin politik midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë në një tranzicion drejt rritjes së përgjegjësive të sigurisë nga Evropa.
Njëkohësisht, duhet të merren parasysh edhe kapaciteti, profesionalizmi dhe legjitimiteti i institucioneve të sigurisë së brendshme të Kosovës – përfshirë Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – kur të merren vendime lidhur me pozicionimin e NATO-s.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të dukshme në ndërtimin e institucioneve demokratike, duke përfshirë zhvillime shumë pozitive në PK dhe FSK” tha ai./ REL









