Ushtria meksikane këtë të diel ka vrarë bosin e drogës El Mencho.
Vrasja ka ndodhur në Meksikën qendrore, pas shumë operacioneve dhe shpërthimeve të kryera nga forcat e ushtrisë.
Kohët e fundit Meksika ka zgjeruar fushatën ndaj goditjes së karteleve të drogës, për shkak të presionit të SHBA.
El Mencho akuzohej nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe nga autoritetet meksikane për trafik droge dhe krim të organizuar.
I lindur në vitin 1966, Oseguera Cervantes ishte përfshirë nga administrata amerikane në listën e kriminelëve më të kërkuar, me një shpërblim miliona dollarësh për informacione që çonin në arrestimin e tij.
Administrata Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA) e përshkruan CJNG si një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë.
Sipas raporteve publike të agjencisë, grupi ka përdorur taktika ushtarake, armë të kalibrit të lartë dhe strategji propagande për të rritur dhe konsoliduar pushtetin e tij. Për kapjen e tij ishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.
Brian McKnight, drejtues i DEA-s amerikane, e kishte cilësuar Cervantes si “armikun publik numër një” të ri, i aftë të kontrollonte 80% të drogës që mbërrin në një qytet si Çikago dhe një të tretën e të gjithë importit të narkotikëve në SHBA (kokainë, metamfetaminë, fentanil).
Sipas McKnight, El Mencho ishte një vrasës i pamëshirshëm miliarder, në krye të kartelit meksikan që u shkëput nga grupi i Sinaloas i El Chapos, kishte krijuar rrugë trafiku droge në gjashtë kontinente dhe kishte një bastion në Çikago, sipas hetuesve të DEA-s.









