Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, i cili po shqyrton kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Gjatë diskutimeve, Balla ka theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore dhe të prezumimit të pafajësisë, duke sqaruar gjithashtu qëndrimin e PS-së në lidhje me propozimin e PD për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut.
“Me arsye të plota Kuvendi ka marrë kohën e nevojshme për këtë proces pas edhe përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi i sotëm dhe pyetjet e anëtarëve të këshillit ka hedhur dritë mbi elementin thelbësor, prezumimin e pafajësisë. Askush nuk është i fajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës. Pala tjetër nuk kishte nevojë për shqyrtim se e kishin marrë vendimin e tyre për qëndrimin. Në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve të PS kam informuar Këshillin e Mandateve se sa i përket propozimit të grupit të PD për dhënien e autorizimit ne nuk ishim dakord me atë mënyrë si është propozuar dhe do kemi një diskutim dhe një informim nga ana ime në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS.Nuk e jep autorizimin Këshilli, por e jep seanca plenare. Pas atij komunikimi, i cili grupi i PS, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu im Ulsi Manja të ketë hartuar plotësisht raportin në emrin e 5 deputetëve tanë, do kemi dy relatorë, zoti Manja do hartojë raportin tonë ndërkohë që PD do sjellë raportin e saj.”
/5pyetjet.al









