-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Llangozi: Gjykata shqiptare akoma në korridoret e shekullit të shkuar

Kryesoret

Godina në foton pas meje nuk është në Shqipëri, por në Barcelonë. Ironia qëndron në faktin se ajo që atje është standard normal për drejtësinë, tek ne duket si një ëndërr e largët. Mjafton ky krahasim për të kuptuar sa larg jemi ende nga modeli europian që na është premtuar për drejtësinë.

Reforma në drejtësi në Shqipëri u shpall si ndërhyrja më e thellë strukturore që do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë fytyrën e sistemit gjyqësor shqiptar.

Ajo u paraqit si garancia për pavarësi, profesionalizëm, integritet dhe standarde europiane. U investuan miliarda euro, u ndryshua Kushtetuta, u ngritën institucione të reja dhe u premtua një epokë e re për qytetarët.

Megjithatë, pas më shumë se një dekade zbatimi, realiteti në terren tregon një të vërtetë të hidhur: reforma ka mbetur kryesisht në letra, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me një sistem të rrënuar fizikisht, të cunguar në burime njerëzore dhe të brishtë në perceptimin e paanshmërisë.

Në shumë qytete të vendit, drejtësia administrohet në godina shekullore, të amortizuara, të ndërtuara për funksione krejt të tjera historike dhe jo për të përballuar ngarkesën dhe kompleksitetin e një sistemi modern gjyqësor.

Në Tiranë, Gjykata e Apelit për vite me radhë ka funksionuar në kushte të papërshtatshme, me mungesë gjyqtarësh dhe me një volum çështjesh që ka paralizuar praktikisht aksesin në drejtësi. Vonesat shumëvjeçare nuk janë më përjashtim, por janë bërë normë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe kjo është ndoshta pasoja më e rëndë e këtij realiteti.

Në rrethe si Saranda, Gjirokastra, Vlora, Fieri, Lushnja, Durrësi, Kukësi, Dibra e të tjera, situata është edhe më shqetësuese. Sallat janë të pamjaftueshme ose inekzistente, proceset zhvillohen në zyra të ngushta, qytetarët dhe avokatët presin me orë të tëra në korridore pa kushte minimale, shpesh në vapë apo shi, pa ambiente pritjeje dhe pa standard sigurie.

Në çdo rast, prokurorët hyjnë dhe dalin nga zyrat apo dhomat e këshillimit të gjyqtarëve, duke krijuar jo vetëm një problem etik, por edhe një perceptim të fortë të mungesës së distancës institucionale. Drejtësia nuk është vetëm vendimi përfundimtar; ajo është edhe mënyra se si zhvillohet procesi. Kur barazia e palëve cenohet qoftë edhe në dukje, besimi publik dëmtohet thellë.

Edhe në ato raste kur janë ndërtuar godina të reja, si në Elbasan, problemet nuk zhduken automatikisht. Standardi nuk është vetëm beton dhe fasadë, por organizim funksional, ndarje e qartë rolesh, akses i barabartë për palët dhe infrastrukturë që garanton solemnitet dhe siguri.

Në Tiranë, ndonëse gjykata dhe prokuroria janë të ndara fizikisht, proceset shpesh zhvillohen në ambiente të pamjaftueshme, me dy gjyqtarë në një zyrë dhe pa salla të mjaftueshme për publikun dhe mediat. Kjo bie ndesh me çdo pretendim për transparencë dhe standard europian.

Kontrasti bëhet edhe më i fortë kur krahasojmë këtë realitet me gjykata moderne europiane, ku infrastruktura është projektuar për të garantuar funksionalitet, siguri, ndarje të qartë institucionale dhe dinjitet procedural. Aty drejtësia nuk është improvizim, por arkitekturë e menduar në shërbim të procesit të rregullt ligjor. Në Shqipëri, përkundrazi, shpesh kemi përshtatje të detyruara, improvizime dhe mbijetesë institucionale.

Reforma në drejtësi ka prodhuar pasoja të thella edhe në aspektin e burimeve njerëzore. Procesi i vettingut, ndonëse i domosdoshëm për pastrimin e sistemit, la boshllëqe të mëdha që nuk u plotësuan me të njëjtin ritëm.

Rezultati ishte paralizimi i përkohshëm dhe në disa raste afatgjatë i gjykatave, shtim i stoqeve të çështjeve dhe një mbingarkesë që rëndon mbi qytetarin e zakonshëm. Një reformë që synonte të përshpejtonte dhe përmirësonte drejtësinë, në praktikë e ka bërë atë më të largët dhe më të ngadaltë për shumë njerëz.

Problemi thelbësor nuk është vetëm mungesa e investimeve fizike; është mungesa e vizionit të integruar për të krijuar infrastrukturën e nevojshme.

Nuk mund të ketë drejtësi medemek moderne pa infrastrukturë moderne. Nuk mund të ketë paanshmëri të perceptuar kur prokurori dhe gjyqtari ndajnë të njëjtat hapësira hyrëse apo këshillimi. Nuk mund të ketë dinjitet procedural kur avokatët dhe qytetarët qëndrojnë në korridore të mbipopulluara apo jashtë ambienteve zyrtare.

Kostoja financiare e reformës ka qenë e jashtëzakonshme me miliarda euro  por kostoja sociale është edhe më e madhe. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk ndërtohet me deklarata politike apo me statistika formale, ai ndërtohet me përvojën konkrete që qytetari ka në momentin kur troket në derën e gjykatës. Kur kjo përvojë është e lodhshme, e çorganizuar dhe e padenjë, atëherë reforma perceptohet si një dështim i kushtueshëm.

Nëse reforma në drejtësi do të shpëtojë nga stigma e dështimit, ajo duhet të kalojë nga ndryshimet normative në transformim real infrastrukturor dhe funksional. Duhet investim serioz në godina të reja, standarde të qarta ndarjeje institucionale, shtim të burimeve njerëzore dhe organizim profesional të proceseve. Përndryshe, drejtësia shqiptare do të vazhdojë të mbetet një projekt i bukur në dokumente, por një realitet i vështirë dhe zhgënjyes për qytetarët që kërkojnë të drejtën e tyre.

Pikërisht për këtë arsye, shoqata “Media dhe Drejtësi” do të ndjekë dhe denoncojë çdo problem që lidhet me infrastrukturën e gjykatave, me investimet e kryera dhe me ato që janë premtuar, por nuk janë realizuar. Transparenca mbi fondet publike dhe kushtet reale të funksionimit të sistemit gjyqësor nuk është luks, por detyrim ndaj qytetarëve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit