Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mbajti fjalimin e përvitshëm mbi Gjendjen e Kombit përpara Kongresit. Në një paraqitje të gjatë dhe të mbushur me deklarata vetëlavdëruese, Trump shpalli rikthimin e asaj që e quajti “epoka e artë” e Amerikës, duke theksuar se vendi “nuk do të kthehet pas”.
Gjatë fjalimit, presidenti renditi atë që e cilësoi si arritje kyçe të administratës së tij.
“Inflacioni është në rënie të lirë, gjendja ekonomike është e fortë ndërsa Wall Street ka thyer çdo rekord gjatë mandatit tim. Kufijtë janë më të sigurt se kurrë dhe asnjë emigrant i paligjshëm nuk ka hyrë në nëntë muajt e fundit”, deklaroi ai.
Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe kombëtarja amerikane e hokejit në akull, kampione olimpike, e cila u nderua gjatë seancës.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua politikës tregtare. Trump mbrojti vendosjen e tarifave doganore, duke theksuar se “të gjitha vendet duan të ruajnë marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara” dhe se, pavarësisht një vendimi që e cilësoi “të pafat” nga Gjykata e Lartë, administrata e tij “po vazhdon të gjenerojë të ardhura”. Sipas presidentit, të ardhurat nga tarifat do të mund të “zëvendësojnë taksat mbi të ardhurat”.









