Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në rrrjetin facebook ka komentuar ndryshimet e fundit në qeveri, ku pas një lufte të gjatë të SPAK-ut dhe opozitës ndaj qeverisë, solli përfundimisht shkarkimin e Belinda Ballukut.
Postimi i Këlliçit
Balluku ruan komandën, Rama nën hyqmin e saj!
Kaq i kapur është Edi Rama nga Belinda Balluku, sa edhe pse u detyrua formalisht ta largonte nga drejtimi për shkak të presionit të BE dhe protestave në rritje, e ka siguruar atë që biznesi t’i vijojë normalisht.
Kushdo e vëren se tek energjetika dhe infrastruktura ku janë fondet dhe interesat më të mëdha financiare, Balluku ka ruajtur komandën. Aty janë kontratat, konçesionet, tenderat dhe aty është caktuar i besuari i Belës.
Tek Mbrojtja sërish Balluku ruan komandën, aty ku ka shumë “dashuri” për pronat e ushtrisë, përmes emërimit atje të bashkëpunëtorit të ngushtë të Ballukut.
Influencën tjetër tek Financat e ka të paprekur.
Në “ikje” e sipër, Rama u kujdes që të sistemonte dhe ndjesitë personale të Ballukut, duke ja hequr Elisën nga Ministria e Jashtme.
Dhe që të jetë krejt e qetë e pa motiv që ta tërheqë këmbën zvarrë, Rama i la Belës dhe paradhomën e tij, duke vendosur Koçiun si zëvendëse. Pra Balluku do ketë një sy dhe aty tek Palloshi i gjatë.
Në historinë e këtyre 3 dekadave e gjysëm, asnjë kryeministër nuk ka bërë lëvizje të tilla të diktuara nga zëvendësi. Edhe më militantët e kuptojnë se nuk kemi të bëjmë me magjepsje të Ramës nga Balluku, në atë shkallë sa ai të jetë nën diktimin e saj edhe pse e larguar, edhe pse nën akuzë për korrupsion.
Eshtë e qartë, se aferat ku Edi Rama është i përfshirë janë arsyeja e këtij dorëzimi.
Askush nuk mashtrohet me lëvizje të tilla.
Më të bashkuar, më energjikë, me pasion e dashuri për Shqipërinë mblidhemi nesër në Bulevard, në orën 18:00.