Zonja e zotërinj deputetë!
Data 5 mars është një ditë e rëndësishme për të dëshmuar nëse kemi mundur të krijojmë një shtet ligjor dhe një shtet të së drejtës, parimi bazë i të cilit është barazia e çdo qytetari para ligjit, apo nëse ky parim themelor kushtetues është thjesht një slogan i vdekur.
1
Demokracitë moderne nënkuptojnë pluralizmin, debatin e hapur dhe garën politike, por ato përballen me një problem esencial: tensionin strukturor mes disiplinës së partisë dhe lirisë së mendimit individual brenda radhëve të saj. Pa parti politike, një demokraci as mund të mendohet. Partitë strukturojnë konfliktin, kanalizojnë interesat, krijojnë përgjegjësi politike.
Problemi nuk është ekzistenca e disiplinës partiake, por absolutizimi i saj që e shndërron partinë në një organizatë konservatore, orthodokse. Nga ana tjetër, pa mendim të lirë, disiplina e partisë shndërrohet në konformizëm të organizuar. Kjo është një çështje ontologjike që buron nga vetë logjika e organizimit politik. Një demokraci funksionale kërkon një ekuilibër: mjaftueshëm disiplinë për të qeverisur, por edhe mjaftueshëm liri për të menduar.
Çdo parti kërkon disiplinë dhe bindje. Disiplia dhe bindja kërkojnë heshtje. Dhe çdo heshtje, në një moment të caktuar, e vret mendimin e lirë. Kur votimi në parlament bëhet me urdhër, kur fjala e lirë i nënshtrohet verbërisht, ose nga frika, “vijës” së partisë, kur ndërgjegjja dhe mendimi i lirë zëvendësohen nga direktiva dhe urdhëri i kryetarit të saj, demokracia i ngjan një koreografie dhe jo debatit të lirë e konstruktiv.
Por, ndërsa disiplina partiake është një kategori organizative, liria e mendimit është një kategori morale dhe epistemike. E para kërkon kohezion; e dyta kërkon autonomi. E para kërkon besnikëri pa kushte; e dyta kërkon dyshim dhe reflektim kritik. Për funksionimin e demokracisë janë të nevojshme si njëra dhe tjetra, por raporti mes tyre është gjithnjë i brishtë. Benjamin Franklin vinte në dukje 250 vite më parë se “pa lirinë e mendimit nuk mund të ketë mençuri dhe as mund të ketë liri publike pa lirinë e fjalës”.
George Orwell, nga ana e vet, na kujton se liria nënkupton të drejtën të thuash se dy plus dy bëjnë katër, jo pesë, siç mund të thotë partia. Cili nga ju, deputetë socialistë të Kuvendit të Shqipërisë guxon që, në emër të lirisë, të ngrejë dorën ndryshe nga sa urdhëron kryetari i partisë dhe të dalë nga rreshti për një çështe të caktuar që është në kundërshtim me bindjen e tij të lirë?
Partitë prodhojnë pasione kolektive dhe pasionet kolektive kërkojnë besim, jo argumente; besnikëri, jo reflektim. Veç mos harroni, demokracia nuk është një fe politike; ajo është hapësirë dyshimi, reflektimi dhe përplasjeje mendimesh të pavarura.
Kur besnikëria partiake shpallet virtyti më i lartë, ndershmëria intelektuale konsiderohet një ves. Kur uniteti shihet si qëllim në vetvete, e vërteta bëhet pengesë. Dhe kur deputetët apo ministrat heshtin për të ruajtur vendin në listë, ose postin që u kanë dhënë, atëherë mund të kemi disiplinë, por jo liri.
Demokracia nuk vdes vetëm nga tanket apo nga aktet e dhunëshme të opozitës; ajo mund të vdesë edhe nga duartrokitjet unanime të një mazhorance parlamentare, kur ajo bëhet tiranike. Në demokraci, theksonte Alexis de Tocqueville, rreziku më i madh nuk është represioni, por uniformiteti i mendimit.
2
Zonja dhe zotërinj deputetë!
Nëse nuk doni ta lini drejtësinë të bëjë punën e saj, bëni mirë të lini mandatin tuaj.
Nëse nuk e mbani dot mbi supet tuaja barrën e përgjegjësisë që ju ngarkon mandati i deputetit, lëreni atë mandat. Kjo është më e ndershme se sa të jesh një deputet pa liri.
Nëse është frika nga kryetari juaj dhe jo nga opinioni publik e nga zemërimi popullor që do u shtyjë të votoni më 5 mars, atë mandat që ua kemi dhënë ne, qytetarët e këtij vendi, nuk e meritoni.
Nëse votoni jo siç u thotë ndërgjegjja juaj, por kryetari i partisë, do të dëshmoni se kryetari ju ka marë dinjitetin, ju ka shkelur me këmbë dhe ju e pranoni këtë “disiplinë” poshtëruese. Disiplina e partisë nuk mundet dhe nuk duhet të zëvendësojë lirinë e mendimit. John Stuart Mill, theksonte se shtypja qoftë edhe e një mendimi të vetëm e privon shoqërinë nga mundësia për të korrigjuar gabimet e saj, ose për të zbuluar të vërtetën, ndërsa përplasja e ideve dhe debati janë kusht i progresit moral dhe intelektual të shoqërisë.
Ministrat që janë edhe deputetë (dhe që s’do të duhej të ishin, siç ndodh në shumë demokraci të zhvilluara), e kuptoj se nuk mund të votojnë kundër vullnetit të kryetarit të qeverisë pa rrezikuar portofolin që ky u ka dhënë në kabinetin e tij, por pjesa dërrmuese e juaja, si deputetë socialistë, nuk jeni pjesë e qeverisë dhe nuk ka pse mbaheni përgjegjës për korrupsionin dhe dështimet e saj. Votoni ndërgjegjen tuaji!
Mënyra se si do të votoni ju më 5 mars ose do ju çlirojë nga frika e poshtërimi, ose do ju fundosë më tej nën këmbët e një njeriu që e keni kryetar edhe pa e zgjedhur ju vetë si të tillë për kush e di sa kohë. Heshtja dhe komformizmi juaj mund të krijojnë dukjen e një stabiliteti në radhët e Partisë Socialiste, për të cilën unë kam votuar vazhdimisht deri më sot, por vetëm përkohësiht dhe me koston e lartë të një majisjeje të mëtejshme të problemit që pritet të zgjidhet nga ju.
Nëse ndiheni mirë në rehatinë tuaj duke ju tërhequr prej hundësh kryetari i partisë, prisheni rehatinë për hir të drejtësisë për të gjithë e për të ruajtur nderin tuaj—nëse vërtet e çmoni nderin dhe doni të mbaheni mend si njerëz të ndershëm, jo si lepuj.
Nëse me votën tuaj mbroni korrupsionin dhe vjedhjen, ju do të mbaheni përgjegjës për korrupsionin dhe vjedhjet e një qeverie që e keni votuar ju vetë.
Nëse frika ju ka vrarë deri më sot kurajën, mos lejoni që frika, pavendosmëria dhe oportunizmi të bëhen identiteti dhe trashëgimia juaj politike.
Mandati i deputetit dhe previlegjet që gëzoni prej tij janë të përkohëshme; siç ua kanë dhënë, mund edhe t’jua marrin. Nderi është ai që nuk ua merr dot askush, nëse dini ta mbroni atë.
Pra, vriteni frikën që të mos ju vrasë frika juve! Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet, nëse vërtet jeni, ose doni të jeni ligjvënës të një shteti ligjor.
Nëse vërtet doni që Shqipëria një ditë të jetë pjesë e Bashkimit Europian, votoni siç do të votonin parlamentarët e çdo vendi të BE-së në një rast të ngjashëm.
Një njeri që nuk pranon përgjegjësi për asgjë, siç ndodh me kryetarin tuaj dhe kryeministrin tonë, është ose i pagabueshëm, ose i papërgjegjshëm. Vota juaj do të dëshmojë bindjen që keni ndaj pagabueshmërisë apo papërgjegjshmërisë së kryetarit të partisë suaj. Njerëz të pagabueshëm nuk ka. Nuk mund të jetë as kryetari juaj dhe kryeministri ynë. Njerez të papërgjegjshëm ka. Mos u bëni si ata!
Respektoni qytetarët që j’u kanë votuar, por respektoni edhe veten tuaj. Dhe mos harroni, respekti është i ndërsjellë. Nëse nuk respektoni vullnetin e qytetarëve, ju nuk do mund ta gëzoni dot respektin e tyre dhe as i meritoni besimin dhe votën e tyre. Edmund Burke shkruante se një përfaqësues i popullit në parliament nuk është thjesht i deleguari i tij, por ushtruesi i vullnetit dhe i gjykimit popullor.
Kryetari juaj dhe kryeministri i vendit nuk do të kishte mbrojtuar askënd nga ju siç po mbron znj. Balluku. Thjesht bëni pyetjen: Pse?
Çfarëdo që shkrova më sipër janë fjalët e një intelektuali socialist, më socialist madje se një pjesë e madhe e deputetëve të sotëm socialistë në Kuvendin e Shqipërisë. Unë shpreha bindjet e mia; lexojini këto fjalë nën prizmin e bindjeve tuaja, jo të diktatit të kryetarit të partisë, nëse vërtet jetojmë në një demokraci liberale, jo në një partitokraci iliberale.









