Mospranimi i kandidimit të Murat Jasharit për president nuk është rastësi. Është hallkë e një skenari të përgatitur me kujdes. Kushdo që merr erë nga politika e ka kuptuar prej kohësh: kjo nuk është krizë spontane, por krizë e prodhuar në kuzhinën e VV-së.
Albin Kurti nuk lëviz rastësisht. Ai planifikon me durim dhe godet me kalkulim.
- Pse Vjosa Osmani duhej të hiqej nga loja?
- Vjosa Osmani nuk mund të ishte më presidente “e rehatshme”. Ajo doli nga roli i noteres së qeverisë në disa momente kyçe:
-
Kur e paralajmëroi publikisht Kurtin të mos luajë bixhoz me Kosovën dhe me ndërkombëtarët.
-
Kur mori pjesë në aktivitete ndërkombëtare pa u koordinuar me të.
-
Kur mbajti qëndrime që nuk ishin të sinkronizuara me zyrën e kryeministrit.
Një presidente me zë të vetin është problem për një kryeministër që kërkon kontroll total.
- Plani B – kapja e tri pushteteve
Në rast dështimi për zgjedhjen e presidentit, skenari është i qartë: bartja e kompetencave te kryetarja e Kuvendit. Dhe kështu realizohet ëndrra e madhe – kontrolli i:
- Kuvendit,
- Qeverisë dhe
- Presidencës.
Pas kësaj pason kapaja?
- Prokurorisë,
-
Gjykatës,
-
deligjitimi i Gjykatës Kushtetuese duke e lënë ate pa kuorum për marrje të vendimeve dhe
-
Shtyrja e zgjedhjeve deri në një moment më të favorshëm elektoral.
Kjo nuk është më politikë normale. Kjo është projekt për centralizim ekstrem të pushtetit. Dhe historia na mëson se kur një parti kap të gjitha levat, demokracia fillon të zbehet.
Po opozita çfarë po bën e çka duhet të bëjë?
Këtu nis zhgënjimi i madh.
Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku nuk mund të sillen si mysafirë në oborrin politik të Albin Kurtit. Vallëzimi rreth tavolinës së tij, me shpresë për “kandidat konsensual”, është naivitet ose komoditet politik
Duhet ta kuptojnë një gjë themelore:
Kurti nuk kërkon konsensus. Ai kërkon legjitimitet për skenarin e tij.
Nëse opozita rri në sallë dhe jep kuorum, ajo bëhet pjesë e planit. Nëse propozon kandidatë pa shanse reale, ajo thjesht dekoron procesin.
Realiteti është i thjeshtë:
Opozita nuk duhet t’ia bëjë kuorumin. Zgjidhja e vetme është përballja në zgjedhje të reja.
Po, VV do të dalë sërish e para. Por jo mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Dhe aty fillon balanca demokratike. Aty fillon nevoja për marrëveshje. Aty shpëton pluralizmi.
Rreziku
Marrja e tri pushteteve nga një forcë e vetme politike nuk është “stabilitet”. Është rrëshqitje drejt autoritarizmit.
Kosova nuk ka luftuar për ta zëvendësuar një dominim me një tjetër.
Opozita ka obligim moral dhe politik ta ndalë këtë skenar. Nëse hesht, nëse llogarit gabim, nëse zgjedh rehati në vend të përballjes, atëherë do të mbajë përgjegjësi historike.
Koha e iluzioneve ka mbaruar.
Ose demokraci me balancë pushtetesh,
ose pushtet i përqendruar në një dorë.









