Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kundërshtuar ashpër ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste për rregulloren e Kuvendit, duke i cilësuar ato si njëanshme dhe të pakonsultuara.
Bardhi thekson se këto ndryshime përbëjnë një dhunim të të drejtës së opozitës për t’u shprehur në institucionet demokratike dhe cënojnë bashkëjetesën parlamentare.
“Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara. Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njëanshme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë. Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike. Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi”, tha Bardhi.Bardhi kundërshton ndryshimet në rregulloren e Kuvendit: “Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS”









