Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë akuza të forta në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e Ferit Hoxhës si ministër i Jashtëm.
Blushi ka thënë se Hoxha ka pasur një rol kyç në negociatat për marrëveshjen e detit me Greqinë, duke theksuar se ai ishte kryenegociatori i kësaj marrëveshjeje 17 vjet më parë.
Ai e cilësoi si detyrim moral dhe patriotik t’i bëjë publike këto fakte, veçanërisht përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të cilët votuan për emërimin e Hoxhës në këtë post.
“Duke ndjerë sot përgjegjësi të lartë publike dhe kombëtare, si deputet i Kuvendit që ka kryer një betim të shenjtë për të mbrojtur interesin kombëtar, e ndjeva detyrim moral t’iu bëj të ditur një fakt tronditës,” tha Blushi, duke rikujtuar se në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha drejtonte negociatat me Greqinë. Ai shtoi se më vonë kishte mësuar se Hoxha ishte kryenegociatori i marrëveshjes dhe kishte bërë një “lojë të dyfishtë” në atë periudhë.









