Me vetëm 66 deputetë të pranishëm, Kuvendi i Kosovës është ndalur në hapje të seancës për zgjedhjen e presidentit. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen nëse plotësohen kushtet. Për të pasur kushte për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë. “Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin.
Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhjet me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo. Një ditë më parë, Haxhiu u shpreh se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh.
Ajo pati thënë se nuk është e përcaktuar se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6. Sipas saj, në këtë rast hyhet në një terren tjetër, që e ka quajtur “terren të pashkelur”. Në nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës. E neni 86, thotë se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati i përfundon më 4 prill.









