Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në Kuvend lidhur me editorialin e përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për zgjerimin e Bashkimit Europian.
Tabaku theksoi se ky editorial është shqetësues pasi synon shtyrjen e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE dhe paraqet këtë si një zgjidhje pragmatike përmes integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas kërkesat për reforma demokratike.
“Dua të ngre shqetësim që javët e fundit ka qenë prezent. Jemi njohur me një editorial sa i përket integrimit të përshpejtuar ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët duke shtyrë anëtarësimin e plotë dhe institucional të Shqipërisë për më vonë. Ky është një problem themelor. BE nuk është thjesht një treg pa tarifa doganore, por rend demokratik me institucione të forta,” u shpreh Tabaku, duke shtuar se kërkesa e Ramës për të “shtyrë” integrimin është një lojë që mund të na kthehet kundër, duke penguar ndërtimin e institucioneve demokratike dhe proceset e nevojshme për anëtarësimin e plotë në BE.









