Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars. Seanca e 5 marsit dështoi në mungesë kuorumi, meqë në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi menjëherë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh. Megjithatë, sipas Osmanit, Kushtetuta është e qartë: procedurat për zgjedhjen e presidentit mund të nisin 60 ditë para afatit të fundit, por procesi duhet të finalizohet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Presidentja paralajmëroi se datën e zgjedhjeve të reja do ta shpallë pas konsultimeve me krerë të partive politike.
Interpretimet për afatin 60-ditor
Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë Osmani ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.
“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.
Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta. “Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo ndaras me njëra-tjetrën”.
Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.









