Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar dorëheqjen e Jola Hysaj nga të gjitha pozitat dhe anëtarësia në PD. Ai ka zbuluar se Hysaj ia ka komunikuar këtë vendim përmes një mesazhi, ku e falënderoi për kontributin e dhënë në parti.
Berisha theksoi se dorëheqjet janë një akt i natyrshëm dhe normal në një parti demokratike dhe se ai e respekton plotësisht vendimin e Hysaj, e cila ka arritur në përfundimin se duhet të ndërpresë aktivitetin e saj politik.
“Jola Hysaj më dërgoi dje një mesazh ku më falënderon për bashkëpunimin dhe më njofton se ka vendosur të japë dorëheqjen. E falënderoj për kontributin dhe e respektoj vendimin e saj. Dorëheqjet janë një akt i natyrshëm në një parti demokratike dhe në një shoqëri të lirë. Ajo dha kontributin e saj dhe këtë nuk mund ta mohojmë. Megjithatë, ajo ka arritur në përfundimin se është momenti për të ndërprerë aktivitetin e saj politik, dhe këtë vendim e respektoj plotësisht.”









