Qeveria e Shqipërisë ka shpallur organizimin e Samitit të Katërt të Diasporës, i cili pritet të zhvillohet më 14–15 prill 2026. Si çdo njoftim i ngjashëm në 13-vjeçarin e fundit, edhe ky aktivitet paraqitet në mënyrë pompoze si një moment i rëndësishëm për të forcuar lidhjet e Shqipërisë me diasporën, për të mobilizuar kapitalin njerëzor të shqiptarëve jashtë vendit dhe për të tërhequr investimet e emigrantëve të suksesshëm. Megjithatë, për këdo që e ndjek këtë temë prej kohësh, njoftimi i një tjetër samiti të diasporës krijon një ndjesi déjà vu. Në epokën e qeverisjes socialiste janë prodhuar një numër i konsiderueshëm konferencash, strategjish, institucionesh të reja dhe deklaratash optimiste, por shumë më pak mekanizma realë dhe veprime konkrete që do ta bënin bashkëpunimin me diasporën një proces të qëndrueshëm dhe funksional.
Vetë përdorimi i fjalës “samit” për diasporën tradhton një mungesë serioziteti. Kjo fjalë, në anglisht, do të thotë majë mali dhe nënkupton një aktivitet ku mblidhen një numër shumë i kufizuar njerëzish, krerë shtetesh apo drejtues institucionesh, për të marrë vendime të rëndësishme. Nuk është rastësi që vetë termi u fut në përdorim politik nga Winston Churchill, i cili në shkurt të vitit 1950 bëri thirrje për një “bisedim në majë” (parley at the summit) mes liderëve të fuqive të mëdha për të diskutuar çështje kritike të rendit ndërkombëtar në mes të Luftës së Ftohtë. Prandaj, kur kjo fjalë përdoret për një konferencë me qindra pjesëmarrës, ajo duket më shumë si një dekor gjuhësor e taktikë marketingu për t’i dhënë rëndësi ceremoniale një aktiviteti që në thelb mbetet një forum i zakonshëm. Pak a shumë si të quash çdo seminar universitar një “konklavë papnore”. Problemi, natyrisht, nuk është fjala në vetvete, por prirja për ta zëvendësuar përmbajtjen me simbolikë.
Në këtë kuptim, shpallja e samitit të radhës lë përshtypjen se kemi të bëjmë me një tjetër episod në listën e gjatë të iniciativave që shpallen me bujë dhe më pas lihen në mes të rrugës dhe zhduken në heshtje administrative. Në vitin 2013 u krijua Ministria e Diasporës me një retorikë të fuqishme politike dhe me objektiva ambicioze si një strukturë e re shtetërore që do të ndryshonte rrënjësisht marrëdhënien e Shqipërisë me diasporën. Në retorikë kjo ministri do të bënte hatanë, ndërsa në praktikë pati një jetë relativisht të shkurtër, duke u shuar si ministri në vitin 2017, kur edhe u zëvendësua nga Agjencia Kombëtare e Diasporës. Kjo e fundit u ndërtua si një strukturë e re që supozohej të vazhdonte të njëjtat objektiva në një format institucional tjetër. Edhe kjo agjenci u krijua me premtime të mëdha për ndërtimin e urave me diasporën, duke synuar përfshirjen më të madhe të mërgatës sonë në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Në 2023 edhe ky institucion autonom i pasuksesshëm mbyllet dhe shkrihet në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për të kuptuar pse këto përpjekje kanë prodhuar kaq pak rezultat, duhet të lëmë mënjanë retorikën e eventeve dhe të shohim mekanizmat realë. Debati për diasporën zakonisht fillon me pyetjen: si mund ta bindë shteti shqiptar diasporën të kthehet ose të investojë në vend? Në fakt, kjo është mënyra më e sigurt për ta shmangur problemin në thelb, sepse diaspora nuk është një publik që pret të bindet nga samite dhe deklarata. Pyetja reale që duhet bërë është shumë më e pakëndshme: pse një vend me mbi gjysmën e popullsisë jashtë nuk arrin t’u japë atyre një arsye serioze për t’u kthyer? Ose, për të qenë edhe më të sinqertë, pse nuk po arrijmë as të frenojmë ikjen e vazhdueshme të atyre që janë ende këtu, kur dihet se emigrimi po vazhdon me ritme mbi 3% në vit të popullsisë që jeton në Shqipëri.
Në këtë kontekst, problemi më i menjëhershëm nuk është si të bindet diaspora të kthehet; problemi është pse vendi vazhdon të prodhojë çdo vit një valë të re njerëzish që duan të largohen. Këtu hyn në lojë fenomeni i njohur si largimi i trurit (brain drain), i cili në debatet publike zakonisht reduktohet në një shpjegim të thjeshtë dhe komod, kinse njerëzit largohen sepse pagat janë më të larta jashtë vendit. Kjo është gjysma e së vërtetës dhe shpesh gjysma që i leverdis më shumë politikës, sepse e redukton problemin në një diferencë ekonomike të pashmangshme që largon përgjegjësinë nga keqqeverisja. Ky largim masiv nuk mund të reduktohet thjesht në përllogaritje të pagave më të ulëta apo më të larta, sepse po të ishte puna aq e thjeshtë, gjithë Evropa Jugore brenda BE-së do të ishte dyndur në Skandinavi, ku rrogat janë 2-3 herë më të larta.
Shkaku strukturor që e bën emigracionin një fenomen të qëndrueshëm tek ne nuk lidhet thjesht me nivelin e pagave apo madhësinë e tregut, por me vetë modelin e qeverisjes, pra me mënyrën se si funksionojnë rregullat e lojës në një shoqëri; si shpërndahen mundësitë ekonomike dhe profesionale, sa reale është konkurrenca dhe sa i besueshëm është shteti si garant i ligjit dhe i barazisë përpara tij. Rasti i Shqipërisë e ilustron qartë këtë. Pagat sot janë pa dyshim më të larta se para një apo dy dekadave, megjithatë emigracioni jo vetëm që nuk është frenuar, por është shtuar. Kjo tregon se vendimi për t’u larguar nga Shqipëria nuk përcaktohet vetëm nga diferenca e pagës me Perëndimin, por nga vlerësimi që individët bëjnë për funksionimin e sistemit, duke parë nëse ligji zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme, nëse mosmarrëveshjet zgjidhen drejtësisht në gjykata dhe nëse ekziston qasje reale dhe e barabartë në mundësi e shërbime publike. Kur këto garanci perceptohen si të vogla ose të pasigurta, emigracioni shndërrohet në një zgjedhje racionale për t’u larguar nga një sistem ku perspektiva personale, profesionale dhe institucionale mbetet e zymtë. Këtu duhet mbajtur parasysh se tregu i punës në Shqipëri dominohet nga shteti, i cili mbetet punëdhënësi më i madh.
Në një realitet të tillë, një profesionist serioz nuk pyet vetëm sa do të paguhet, por nëse ekziston një shans real për karrierë meritokratike dhe nëse është i mbrojtur nga arbitrariteti apo nga humori i shefave të emëruar nga partia. Në fund të fundit, dilema është shumë e thjeshtë. A shpërblehen talenti, përkushtimi, ekspertiza dhe përvoja profesionale, apo në të vërtetë shpërblehen servilizmi dhe besnikëria ndaj hierarkisë politike. Kur përgjigjja për këtë pyetje bëhet e qartë, edhe vendimi për t’u larguar një orë e më parë nga ky sistem bëhet po aq i qartë. Përpos këtyre, shumë analiza anashkalojnë faktin që emigrimi është gjithnjë e më shumë një vendim familjar. Diskutimi publik fokusohet zakonisht te paga apo te institucionet, por shpesh harron se profesionistët e kualifikuar janë zakonisht prindër ose prindër potencialë, njerëz që mendojnë në horizonte 10–20-vjeçare dhe që kanë një investim emocional të madh te e ardhmja e fëmijëve të tyre.
Prandaj, për ta, pyetja vendimtare nuk është më thjesht sa fitoj unë, por ku do të rriten fëmijët e mi. Dhe këtu hyjnë në lojë faktorë të prekshëm si cilësia e shëndetësisë, arsimi, infrastruktura dhe mjedisi ku do të jetojë familja. Mjafton të imagjinosh dramën e përditshme për të çuar fëmijët në çerdhe, kopshte dhe shkolla në kushtet kur zona të tëra urbane të Tiranës si Astiri apo Liqeni i Thatë nuk kanë asnjë institucion publik të arsimit të detyrueshëm parauniversitar, për të kuptuar se sa shumë peshon ky dimension në vendimin për ta braktisur vendin. Prandaj edhe ideja se emigracioni mund të frenohet thjesht me rritje pagash është një iluzion. Nëse besimi te institucionet është i dobët, stimujt financiarë si ulja e taksave për të kthyerit apo grantet për profesionistët shihen me skepticizëm ose trajtohen si përfitime të përkohshme.
Një mjek mund të pranojë një pagë më të lartë në vendlindje, por nëse spitali nuk ka pajisje, kushte pune dhe administrim profesional cilësor, ose nëse ai nuk mund të garantojë një të ardhme meritokratike për fëmijët e tij, paraja nuk e mbron dot nga degradimi i sistemit. Rumania e provoi këtë që të frenonte hemorragjinë e mjekëve drejt Gjermanisë. Pagat u rritën ndjeshëm në sistemin shëndetësor, por emigrimi nuk u ndal në mënyrë domethënëse, sepse problemet strukturore të sistemit mbetën. Në terma ekonomikë, kur institucionet janë të dobëta, individët kërkojnë një premium rreziku, pra pagesa shumë më të larta për të kompensuar pasigurinë. Por edhe atëherë, profesionistët me aftësi të larta nuk blejnë vetëm paga më të mira, ata kërkojnë parashikueshmëri.
Këtu duhet kuptuar që në terma ekonomikë, kur institucionet janë të dobëta, individët kërkojnë rroga shumë të larta, jo prej grykësisë, por si premium rreziku, apo policë siguracioni për të kompensuar pasigurinë apo paparashikueshmërinë. Kjo do të thotë se për të kompensuar pasigurinë institucionale, pagesat duhet aq të majme sa shpesh kalojnë mundësitë e buxheteve të rajonit, sepse për profesionistët e kualifikuar vendimi për të qëndruar apo për t’u larguar është në thelb një vendim menaxhimi risku. Prandaj reforma me efektin më të madh shumëfishues për diasporën nuk do të ishte organizimi i samitit të katërt apo të dyzet e katërt, por depolitizimi dhe profesionalizimi i administratës, duke vendosur një meritokraci të verifikueshme në rekrutim dhe promovim, veçanërisht në ministri, agjenci, universitete, spitale etj., të shoqëruar me transparencë reale në vendimmarrje. Një ndryshim i tillë jo vetëm që do të ndryshonte pritshmëritë e profesionistëve duke krijuar besimin se loja është e drejtë, por edhe do të rriste produktivitetin e gjithë sistemit, pozicionet kyçe do të mbaheshin nga njerëz të aftë, shërbimet do të përmirësoheshin, korrupsioni do të ulej dhe do të krijohej një klimë më e mirë për investime dhe rritje reale të pagave. Nëse kjo do të ndodhte, efekti shumëfishues do të qe i qartë sepse diaspora do të krijonte forma natyrale të qarkullimit të trurit; projekte, start-up-e, bashkëpunime akademike dhe investime. Historia ekonomike e shumë vendeve e konfirmon këtë me raste si Irlanda, që u bë magnet për diasporën e saj kur krijoi një ekonomi teknologjike që tërhoqi kompani si Intel dhe Google. Estonia ndërtoi një shtet digjital transparent dhe një ekosistem start-up-esh që tërhoqi profesionistët e saj nga Londra dhe Berlini.
Koreja e Jugut krijoi institute kërkimore dhe industri teknologjike që riatdhesuan shkencëtarët koreanë nga Shtetet e Bashkuara. Tajvani ndërtoi Hsinchu Science Park dhe tërhoqi mijëra inxhinierë nga Silicon Valley dhe po ashtu, ngjashëm, Izraeli krijoi një nga ekosistemet më të forta të inovacionit në botë. Ndoshta rasti më domethënës është ai i Polonisë. Pas hyrjes në Bashkimin Evropian, miliona polakë emigruan drejt Britanisë dhe Gjermanisë në një nga valët më të mëdha të emigrimit në Evropë. Por përmes përmirësimit të qeverisjes ekonomike, reformave institucionale dhe një politike industriale që tërhoqi investime të mëdha në prodhim të avancuar dhe sektorin teknologjik, Polonia krijoi gradualisht kushte më të besueshme për profesionistët e saj. Një pjesë e konsiderueshme e diasporës filloi të kthehet ose të bashkëpunojë me kompani polake nga jashtë. Sot është ekonomia me rritjen më të lartë në kontinent, ndërsa në rang global, ajo është sot rreth ekonomia e 20-të më e madhe në botë, me një PBB që ka kaluar 1 trilion dollarë. Si e tillë përbën shembull të qartë se kthimi i diasporës nuk prodhohet nga konferenca apo retorika, por nga institucione funksionale dhe mundësi reale zhvillimi.
Në thelb, problemi i diasporës nuk është një problem komunikimi e marketingu, por një problem besimi. Asnjë samit nuk mund ta zëvendësojë mungesën e institucioneve funksionale, të konkurrencës së drejtë, të shërbimeve publike cilësore dhe të mundësive profesionale serioze. Kur këto mungojnë, konferencat për diasporën prodhojnë vetëm një iluzion përfshirjeje, ndërsa realiteti i hidhur vazhdon të prodhojë emigrim të ri të mëtejshëm. Në fund të fundit, çështja thelbësore nuk është si të bindet diaspora të kthehet, por si të ndërtohet një sistem ku njerëzit nuk ndihen të detyruar të largohen.









