Sot zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca përsa i përket masës së sigurimit “pezullim nga ushtrimi i detyrës” për ish-zv kryeministren Belinda Balluku, pas arsyetimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Gjyqtarja Miliana Muça do të shqyrtojë ankimin e bërë nga avokatët e Ballukut të masës së sigurimit.
Por duke qenë se Balluku nuk është më zëvendëskryeministre, Apeli i Posaçëm duhet të marrë një vendim, qoftë edhe për të konstatuar që nuk ka objekt për këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese u shpreh në 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
GJK vendosi që të rrëzojë padinë e qeverisë, pasi gjyqtarët votuan 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm. Masa e pezullimit u rikthye por Edi Rama e shkarkoi Ballukun.









