Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar raportin përfundimtar për vitin 2025.
Raporti i plotë
Raporti vjetor 2025 i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i siguruar nga ekofin.al, paraqet një panoramë të detajuar të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në Shqipëri, duke evidentuar rritjen e aktivitetit hetimor, fokusin tek rastet më komplekse dhe përpjekjet për të goditur pasuritë me origjinë kriminale. Dokumenti përmbledh arritjet dhe sfidat e institucionit gjatë vitit të kaluar, si dhe progresin në përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit.
Në fushën e korrupsionit, SPAK raportoi një intensifikim të hetimeve gjatë vitit 2025. Numri i çështjeve të reja për korrupsion është rritur me 17.7%, ndërsa hetimet e përfunduara janë rritur me 12.2% krahasuar me vitin paraardhës. Gjatë vitit janë dërguar në gjykatë 24 procedime penale me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. Po ashtu, janë hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët më shumë se gjysma, 18 persona, janë dërguar në gjykatë, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendime të formës së prerë.
Raporti evidenton se SPAK ka rritur gjithashtu fokusin në ndjekjen e pasurive të lidhura me korrupsionin dhe aktivitetet kriminale. Gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro përbëjnë pasuri të sekuestruara dhe rreth 1.91 milionë euro pasuri të konfiskuara përfundimisht. Në këtë total përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave të tipit Tether (USDT) me vlerë rreth 12.4 milionë euro, një nga rastet më të mëdha të sekuestrimit të aseteve digjitale në Shqipëri.
Krimi i organizuar mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit. Edhe pse numri i procedimeve të regjistruara është më i ulët se në vitin 2024, numri i çështjeve të përfunduara është rritur me rreth 3.4%, nga 58 në vitin 2024 në 60 gjatë vitit 2025. Në të njëjtën kohë, numri i personave nën hetim është rritur me 11.5% dhe numri i personave të dërguar në gjykatë është rritur me 36.6%, çka tregon një orientim më të fortë drejt hetimeve të strukturave më të mëdha kriminale dhe organizimeve komplekse.
SPAK publikon raportin për 2025: Regjistrohen 871 çështje penale









