Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas raportit të fundit të SPAK për korrupsionin në Shqipëri.
Ajo ka theksuar se ky fenomen ka një ndikim të rëndë në ekonominë e vendit, besimin e qytetarëve te institucionet dhe është një nga arsyet kryesore për largimin e shqiptarëve. Tabaku kërkoi një ndryshim të thellë të sistemit dhe e cilësoi korrupsionin si një pengesë serioze për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Korrupsioni po vret ekonominë shqiptare, po vret besimin e qytetarëve në institucione dhe po vret të ardhmen e tyre. Është arsyeja kryesore pse shqiptarët largohen dhe pse Shqipëria pengohet në procesin e integrimit europian.
Prokurimet publike janë të gjitha të paracaktuara. Është një sistem që jo vetëm shërben për pastrim parash, por jep tendera pa garë, me vlera të shumëfishuara dhe në mënyrë të paracaktuar.
Sot ekonomia shqiptare ka vetëm biznese që jetojnë për të marrë tendera. Po ku është ekonomia e tregut? Ku është konkurrenca? Ku është gara?
Duhet të ndryshojmë këtë sistem korruptiv që ka kapur ekonominë, të ardhmen e vendit dhe shqiptarët.









