Belind Këlliçi, deputeti i Partisë Demokratike, ka reaguar pas vendimit të shumicës parlamentare për të mos dhënë autorizimin për arrestimin e ministrës Belinda Balluku.
Ai ka akuzuar qeverinë se po godet drejtësinë dhe funksionimin e SPAK, duke e kthyer atë në një “prokurori të zakonshme”.
Këlliçi ka theksuar se ky veprim i qeverisë i drejtuar nga Edi Rama po shkel barazinë para ligjit dhe ka bërë thirrje për një protestë qytetare më 12 mars për të kundërshtuar këtë vendim.
Reagimi i Këlliçit:
Prokurori e zakonshme, qeveri speciale!
Nga dje, me vendimin e marrë për të mos dorëzuar imunitetin e të pandehurës Balluku, nën akuzë për abuzim me të paktën 1.1 miliardë euro, nuk kemi më Prokurori Speciale, e ngritur e me mandat për të luftuar korrupsionin, por kemi qeveri e pushtet special.
SPAK u godit në thelbin e vet, u bë prokurori e zakonshme, ndërsa speciale u bë qeveria me Edi Ramën. Speciale sepse gëzon imunitet, nuk është e barabartë para ligjit si gjithë qytetarët.
Kjo është anti-historike. Shqipëria e ka korrupsionin problemin më të madh dhe nevoja ishte për të patur qeveri normale dhe prokurori speciale.
Niveli alarmant i shpërdorimit dhe përvetësimit të fondeve, i abuzimit me pushtetin, e kërkonte këtë.
Ndaj dhe u ngritën 140 vota në Kuvend, një konsensus unik.
Me Edi Ramën kryeministër, ne do vinim tek kjo ditë. Sa më shumë avanconte SPAK drejt burimit të aferave dhe lidhjeve qeveritare me krimin, aq më shumë rrezikohej palloshi i gjatë.
Ndaj ai ka bërë gjithçka për të pasur kartonat në Kuvend, ku është investuar me para të pista, me banda, me asete publike, me çdo instrument që kontrollon, për ditën kur do të shpallte veten special, e prokurorinë të zakonshme.
Jemi në kushtet kur vetëm qytetarët mund ta ndalin gremisjen e vendit.
Testin kritik Shqipëria mund ta kalojë nëse bashkohemi pasnesër, datë 12 mars, para Kuvendit dhe i rezistojmë kryeministrit më të korruptuar në Europë.









