Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të sfiduar vendimin e Kuvendit që refuzoi ngritjen e Komisionit Hetimor mbi fonde të programit IPARD II në sektorin e bujqësisë.
Opozita argumenton se kjo vendimmarrje politikisht e motivuar pengon deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues për të kontrolluar qeverisjen dhe përdorimin e fondeve publike, duke e kthyer rolin e opozitës në një formalitet.
Sipas PD-së, mosmiratimi i komisionit jo vetëm që kufizon të drejtën e deputetëve për të ngritur çështje me interes publik, por gjithashtu krijon një “fasadë normaliteti” në parlament dhe cenon standardet e parlamentarizmit demokratik.
Demokratët theksojnë se një opozitë e paaftë për të monitoruar veprimet e qeverisë rrezikon ekuilibrin mes pushteteve dhe dobëson mekanizmat e kontrollit dhe transparencës, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e shtetit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.









