Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të një prej praktikave të njësuara më të rëndësishme në fushën penale, që lidhet me vendimin unifikues nr. 7 të datës 14 tetor 2011 mbi masat e sigurimit personal.
Procedura është iniciuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, me synimin për të siguruar një praktikë gjyqësore më të njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, legjislacionin shqiptar dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale.
Nisma konsiderohet e rëndësishme për praktikën gjyqësore, pasi vendimi unifikues i vitit 2011 ka shërbyer për më shumë se një dekadë si referencë kryesore për gjykatat në interpretimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal në procesin penal.
Por kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi e cilësoi këtë nismë si të diktuar nga kryeministri Edi Rama për të liruar të korruptuarit nga burgu.
“Vendimi i unifikimit të standardeve të gjykatës së Lartë për masën e sigurimit arrest me burg është një lëvizje tërësisht politike e diktuar politikisht për t’i hapur rrugë minimit të punës së SPAK-ut dhe nxjerrjes nga burgu të cdo të korruptuari të Edi Ramës që ndodhet në burg.
I bëj thirrje kryetarit të Gjykatës së Lartë, mos u përdor politikisht për të minuar punën e SPAK dhe gjykatave për t’i dhënë zemër korrupsionit në këtë vend. Ju po bëheni pjesë e një plani të përgatitur nga Rama për të minuar luftën ndaj korrupionit” tha ai.









