Drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho një ditë pas publikimit të raportit për punën e prokurorisë për vitin e kaluar shprehet se do të ndiqen penalisht të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën!
“Të dhënat e Raportit të Vitit 2025 tregojnë se SPAK ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë vlerësoj punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë, këto janë sfida që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme.
Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Një rol kryesor në arritjet e SPAK ka luajtur edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij” tha ai.
SPAK publikon Raportin Vjetor për vitin 2025 – Rritje e hetimeve dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi më 9 Mars, Raportin Vjetor për vitin 2025, ku paraqiten zhvillimet dhe rezultatet kryesore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë vitit 2025, volumi i hetimeve penale është rritur krahasuar me vitin 2024. SPAK hetoi gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 raste të reja dhe 577 të mbartura nga viti 2024.
Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti në rreth 45.4 milionë euro.
SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, duke regjistruar 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetimm 18 persona janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho u shpreh:
“Të dhënat e Raportit të Vitit 2025 tregojnë se SPAK ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë vlerësoj punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë, këto janë sfida që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme. Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Një rol kryesor në arritjet e SPAK ka luajtur edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij.”
Sekuestrimet dhe konfiskimet
- 43.49 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit);
- 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit).
Në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER (USDT), me një vlerë ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë, ose rreth 12.4 milionë euro.
SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit duke regjistruar:
- 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, dhe
- 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë.
Sa i takon volumit të hetimit të çështjeve apo hetimeve që lidhen me korrupsionin këto janë 220 për vitin 2025, ndërsa çështjet e përfunduara janë 156.
Lufta kundër Krimit të Organizuar është rritur:
Numri i çështjeve dhe hetimeve të përfunduara është rritur me rreth 3.4%, nga 58 në vitin 2024 në 60 në vitin 2025.
Të dhënat krahasuese për periudhën 2024–2025 tregojnë gjithashtu:
- rritje me 11.5% të personave nën hetim, dhe
- rritje me 36.6% të personave të dërguar në gjykatë.
Numri i të dënuarve me fajësi është i lartë:
Gjatë vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë 66 vendime dënimi, me 197 persona të dënuar.
Nga këto:
- 41 vendime me 108 persona të dënuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale.
- 25 vendime me 89 persona të dënuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar
Masat e paraburgimit janë ulur:
Raporti evidenton gjithashtu një ulje me rreth 53.4% të përdorimit të masës së sigurimit “arrest me burg”, duke reflektuar një zhvendosje drejt masave alternative të sigurisë.
Për vitin 2025:
- Për veprat penale të korrupsionit, masa “arrest me burg” përbën 3.45% të totalit të personave nën hetim (rreth 5% në vitin 2024);
- Për krimin e organizuar, kjo masë përbën 21.4% të personave nën hetim (nga rreth 31% në vitin 2024).
Bashkëpunimi ndërkombëtar është konsoliduar:
SPAK ka vijuar të konsolidojë dhe intensifikojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit transnacional dhe korrupsionit.
- 95 kërkesa për ndihmë juridike nga jashtë, me një rritje prej 35.7% krahasuar me vitin 2024
- 66.3% e kërkesave janë ekzekutuar brenda vitit.
Partnerët kryesorë përfshijnë Eurojust, Interpol, Europol, autoritetet e Shteteve të Bashkuara, si dhe autoritetet homologe në rajon dhe në Amerikën e Jugut.
Viti 2025 pasqyron progresin e SPAK në forcimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe transparente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes rezultateve konkrete në hetime, sekuestrimin e pasurive me origjinë të paligjshme dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në rritjen e besimit të publikut dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.









