Nga Tel Avivi në Beograd dhe më pas përsëri në Tel Aviv.
Ky ishte itinerari i një avioni izraelit të transportit më 5 mars, konstatoi Radio Evropa e Lirë përmes një analize të faqeve të specializuara për ndjekjen e fluturimeve.
Avioni ishte i destinuar për transportimin e ngarkesave të rënda dhe të rrezikshme, siç janë armët.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ka transportuar, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime.
Kjo nuk është hera e vetme që një avion transporti i kompanisë private izraelite “Challenge Airlines IL” ka ateruar në Beograd gjatë muajit të fundit.
REL-i ka zbuluar se gjatë shkurtit dhe në fillim të marsit, dy avionë transporti të kësaj kompanie kanë kryer së paku nëntë fluturime mes Serbisë dhe Izraelit, në të dyja drejtimet.
Dy prej këtyre fluturimeve u regjistruan pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Radio Evropa e Lirë pyeti ministritë serbe të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë për këto fluturime dhe për atë se çfarë është transportuar me to, por nuk mori përgjigje.
Përgjigje nuk ktheu as kompania izraelite që është pronare e avionëve transportues.
Serbia pezulloi eksportin e armëve në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas një udhëzimi të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kjo ndodhi në kulmin e konfliktit izraelito-iranian dhe mes akuzave nga Moska se Serbia, përmes ndërmjetësve, po eksportonte municion drejt Ukrainës./ REL









