Ka nisur sot diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe mundësinë e arrestimit të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjatë seancës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi paraqiti raportin e PD-së për këtë çështje, duke theksuar arsyet dhe provat që mbështesin kërkesën e Prokurorisë.
“Më 16 dhjetor 2025, Kuvendi është vënë në lëvizje nga SPAK, ku ka kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin apo zëvendësimin e masës së sigurisë dhe pezullimin e një detyre a shërbimi publik të zonjës Belinda Balluku. Prokuroria ka marrë si të pandehur dhe nën hetim deputeten, dyshohet se ka kryer veprën penale “shkelje e barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim”. Pesë anëtarë të Këshillit rekomandojmë që deputetët të votojnë PRO për miratimin e kërkesës së SPAK-ut. Imuniteti i deputetëve mbrohet për të mbajtur funksionimin normal të Kuvendit, dhe jo si privilegj personal. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 intensifikuan luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve, dhe janë një detyrim për Shqipërinë në kuadër të integrimit në BE. Detyra e Kuvendit është të verifikojë nëse ekzistojnë kushtet për dhënien e autorizimit, dhe të sigurohet që deputeti të mos jetë peng i abuzimit politiko-partiak për shkak të veprimtarisë parlamentare.”









