Garda Revolucionare Mbrojtëse e Iranit ka paralajmëruar se çdo valë e re protestash në vend do të përballet me një reagim edhe më të ashpër se ai i ndërmarrë gjatë shtypjes së demonstratave në janar, kur sipas raportimeve u vranë mijëra persona.
Në një deklaratë zyrtare, kjo forcë elitare e sigurisë iraniane akuzon “armikun e keq” se, pasi dështoi të arrijë objektivat në fushën e betejës, po përpiqet sërish të përhapë frikë dhe të nxisë trazira në rrugët e vendit.
“Armiku i keq, pasi nuk arriti të realizojë qëllimet e tij në fushën e betejës, kërkon edhe një herë të mbjellë frikë dhe të provokojë trazira në rrugë”, thuhet në deklaratë.
Gardianët e Revolucionit theksojnë se, në rast të shpërthimit të protestave të reja, do të ndërmarrin një “goditje edhe më të fortë se ajo e 8 janarit”, duke paralajmëruar një shtypje më të ashpër të çdo lëvizjeje proteste në vend.









