Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Gjermania nuk do të përfshihet në konfliktin në Iran, duke theksuar se qeveria gjermane është e përqendruar në përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
Gjatë një vizite në Norvegji, ku u takua me kryeministrat e Kanadas dhe Norvegjisë, Merz theksoi se diplomacia mbetet rruga kryesore për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Ne nuk jemi dhe nuk do të bëhemi pjesë e kësaj lufte. Po përdorim të gjitha kanalet diplomatike dhe po bëjmë çdo përpjekje që konflikti të përfundojë sa më shpejt. Kjo përplasje nuk i shërben askujt dhe sjell pasoja të mëdha, përfshirë edhe ndikime ekonomike për vendet tona dhe aleatët tanë,” u shpreh ai.
Kancelari gjerman shtoi gjithashtu se edhe dialogu i drejtpërdrejtë mes vendeve evropiane dhe Iranit është një nga opsionet që po shqyrtohen për të arritur një zgjidhje diplomatike.
I pyetur për mundësinë që Gjermania të përfshihet në sigurimin e rrugëve detare për transportin e naftës dhe mallrave, përfshirë Ngushtica e Hormuzit, Merz tha se aktualisht nuk sheh arsye për një angazhim të tillë ushtarak.
“Për momentin nuk ka arsye që të marrim në konsideratë një mision për sigurimin ushtarak të rrugëve detare. Të gjitha përpjekjet tona janë të përqendruara në përfundimin e konfliktit dhe në mbështetjen e paqes,” deklaroi ai.









