Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një vizitë në Vlorë, ku mbajti një takim me deputetët të qarkut dhe drejtues të pushtetit vendor.
Pas përfundimit të mbledhjes me strukturat e Partia Socialiste e Shqipërisë, që mësohet se zgjati rreth një orë, Rama është parë i tensionuar teksa largohej me automjet.
Në pamjet që qarkullojnë nga momenti i largimit, kryeministri duket duke iu drejtuar dikujt me zë të ngritur dhe duke bërë gjeste me duar, një situatë që tregon një moment nervozizmi pas takimit me bashkëpunëtorët e tij.
Vizita e Ramës në qytetin bregdetar u fokusua kryesisht te çështjet e zhvillimit të zonës. Sipas burimeve, gjatë mbledhjes ai theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore, investimeve publike dhe përgatitjeve për sezonin e ardhshëm turistik.
Kreu i qeverisë ka kërkuar gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë dhe koordinim më efikas mes pushtetit vendor, deputetëve dhe institucioneve qendrore, me synim përfundimin në kohë të projekteve të rëndësishme për infrastrukturën dhe zhvillimin urban të Vlorës.
Ndërkohë, Rama është shfaqur i tensionuar edhe ditët e fundit, pas përplasjes së fortë që pati të premten me gazetarët gjatë një konference për shtyp. Gjatë debatit, gazetarët Ambrozia Meta dhe Isa Myzyraj u nxorën jashtë sallës pas replikave me kryeministrin.









