Kush ja shkroi fjalën e mbajtur në Iftar Presidentit ?
Nga media marr vesh se Presidenti z. Bajram Begaj paska shtruar një iftar me gazetarët që kanë agjëruar në këto ditë të Ramazanit. Kur e lexova titullin nuk iu besova syve. Thashë se do të jetë ndonjë manipulim. Por, më pas vura re se kishin botuar edhe fjalimin e plotë të Presidentit para bujtësve të tij dhe thashë: Paska qenë fatkeqësisht e vërtetë!
Të agjërojë është një akt fisnik shpirtror i lartë për besimtarin islam. Edhe gjyshërit e mi agjëronin ndonëse jetonin në një familje komuniste. Askush nuk iu thoshte : Mos e bëni! Më kujtohet se atëhere fëmijë kisha detyrë të rrija në dritare dhe të shihja dritat e xhamisë të Rruga e Kavajës që hapeshin. Hapnin orën e iftarit! Dhe i lajmëroja: U hapën! Ishte rasti të gostitesha edhe unë me plot gjëra të mira, ndonëse gjithë ditën kisha ngrënë! Ata jo!
Po nuk ma priste mendja që një ditë të agjërosh ose jo, do të bëhej një kriter për të vajtur ose jo në një iftar te Presidenti i një Republike laike. Të ftonte gazetarë pa dallim feje, krahine, ideje për iftar, shumë mirë, por që jo thjesht feja, por edhe rituali fetar të ndajë gazetarët në dy pjesë, ftohesh / nuk ftohesh, duhet ta dinë në Presidencë se është kriter diskriminues. Cfarë diskriminimi se! Fetar. Nuk e lejon as kushtetuta e vendit!
Si është e mundur ? – pyeta veten. Epo se mos është hera e parë që Presidenca na habit! Thashë deri këtu ka lajthitje, por kush nuk lajthit!
Por, kur për kuriozitet lexova të gjithë fjalimin, më iku mendja. Presidenti në fjalën që lexonte përpiqej të aplikonte parimet fetare në media dhe në gazetari. Madje kur flas për parime dhe vlera fetare, më konkretisht ato që rilevohen nga muaji i madh i Ramazanit.
Se kush i kishte shtirë në vesh që edhe në gazetari mund të “agjërohet”.
Kishte përdorur një figurë stilistike analogjike. Agjërohet me ushqimin në muajin e Ramazanit, edhe gazetaria e mirë “agjëron”!!!
Dhe çfarë quante “agjërim” në gazetari? Faktin që gazetari i përgjegjshëm duhet të botojë dhe editojë vetëm fjalët e vërteta dhe jo çdo gjë që qarkullon!!! Dhe ku është “agjërimi” këtu? Hajde gjeje!
Ndarja e së vërtetës nga fallcifikimi nuk ka asnjë lidhje, as metaforike, me agjërimin. Po ashtu një teknik riparues lavatricesh mund të thoshte se media i ngjan një lavatriceje, fut rrobat të pista dhe nxjerr ato të pastra. Pisllëkun e hedh tutje me ujët. Një shofer taksie do të kishte përdorur për median çdo metaforë që vjen nga zanati i tij. Po agjërimi pse?
Po një gazetar i krishterë që nuk “agjëron” z. President, si duhet të veprojë në zanatin e tij?
Më tutje Presidenti lexonte fjalimin e tij ku thuhej se sikurse na mëson muaji i Ramazanit, edhe gazetari nuk duhet të thotë lajme që përçajnë!!!
Sipas fjalimshkruesit mediat pra duhet të botojnë vetëm lajme që forcojnë unitetin, heqin opozitën, nuk krijojnë front qytetar ndaj të korruptuarve, burokratëve, abuzuesve!!!
Vetëm unitet.
Po sikur fjala të jetë edhe e vërtetë, por edhe që ndan të mirët nga të liqtë, pra i përçan ata ? Për rjedhojë nuk duhet transmetuar sepse përçan. Si t’i shpjegoj zotit President se gazetari ka për detyrë të thotë të vërtetën. Nëse opinioni publik ndahet në dysh, në tresh, në katërsh, nga kjo e vërtetë, aq më mirë. Gazetaria nuk është predikim as në Sinagogë, as në Kishë, as në Teqe, as në Xhami, zoti President!
E kanë shkruar keq fjalimin!
Në të ngatërohet e drejta, me të vërtetën.
Edhe Kuranin e citon gabim fjalimi presidencial. Gazetari ka për detyrë të raportojë të vërtetën, por askush nuk i thotë se ai ka për detyrë të thotë të drejtën!
Zoti President! Të drejtën laike e thotë drejtësia. Gazetaria nuk është burim i së drejtës. Aq më shumë se ndërsa e vërteta është me prirje universale, e drejta ka natyrë plurale. Ajo që ka qenë e drejtë për ju zoti Begaj, nuk ka qenë për mua, apo për dikë tjetër!
E thashë, gjithë çështja ka qenë se dikush ka dashur ta lidhë agjërimin me gazetarët e ftuar në Iftar dhe ka bërë amalgamë mes fesë dhe gazetarisë. Gazetaria nuk është as besim, as gjykatë, as rit fetar, zoti President! Mos vijë ajo ditë që gazetari të ketë detyrë të ndajë të drejtën nga e padrejta!
Sikur të mos mjaftonte kjo,fjalimi vazhdonte me “mrekullira” të tjera dhe afirmonte se gazetarët duhet të jenë në profesion modestë, të përmbajtur, të duan harmoninë, paqen, faljen, sikurse na duhet të sillemi në bazë të vlerave fetare!
E thashë dhe e përsëris prapë: Nuk është misioni i gazetarisë, zoti President, si misioni dhe statusi i besimtarit përpara Zotit të Madh që është një dhe i vetëm. Besimtari është dhe duhet të jetë i përulur përpara Fuqisë Madhore Hyjnore, por gazetari në jetën shoqërore ka për qëllim t’i shërbejë së vërtetës, së mirës publike, qytetarëve, demokracisë. Dhe këtu mirë është të jetë modest dhe i përmbajtur, por po aq mirë do të ishte kur duhej, të bëhej luftarak, kryelartë për profesionin e tij, t’i shpallte “sherr”, betejë pa kompromis së keqes sociale, të liqve, mashtruesve, të korruptuarve. Nuk do të ishte vetëpërmbajtja, por pasioni, ai që nxit gazetarin të kryejë detyrën e tij.
Prej kohësh është shtruar pyetja në literaturën perëndimore: A mund të jetë një katolik fondamentalist edhe prokuror? Sepse prokurori jep pretenca ndëshkuese, shpesh shumë të rrepta, kurse katoliku në besim fal! Atëhere të falë, apo të dënojë ?
Unë pyes: a mund të sillet një gazetar i mirë sikurse sillet gjatë muajit të agjërimit, a mundet që vlerat që promovon muaji i shenjtë i Ramazanit të jenë kode dhe manuale gazetarie, sikurse na propozon fjalimi që lexoi Presidenti ynë në Iftar?
Pra të thotë të drejtën, jo thjesht të vërtetën, të promovojë unitetin, jo betejën me të korruptuarit, apo ata që shkelin ligjet dhe Kushtetutën, të bashkojë, por jo edhe të ndajë kur duhet, të jetë kokëulur dhe modest si përpara Zotit, jo krenar dhe kur duhet kundërshtues, kritik, në ushtrimin e profesionit të tij, të dojë çdo njeri, jo të përbuzë dhe denoncojë ata njerëz që shkelin rregullat në shoqëri, vjedhin, grabisin, abuzojnë me pronën publike, etj..
Kjo lloj gazetarie nuk na duhet z. President! Qytetarët presin edhe më tepër nga media. Por, kjo nuk bëhet kur parimet e familjes, të fesë, të dashurisë, sforcohen të bëhen edhe parime të institucioneve laike, të ligjit, të shtetit, dhe në këtë rast të demokracisë!
Sipas këtij fjalimi duhet të “agjërosh” pa të jesh gazetar i mirë!
E kuptoni këtë apo jo z. President?!









