Ndrec Pjetri, më i votuari i listës së hapur për deputet të Partisë Demokratike në Durrës, ka reaguar ashpër ndaj përjashtimit të dy anëtarëve të rëndësishëm të partisë, Arlind Boshkut dhe Dritan Burgijës, nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Pjetri ka cilësuar këtë veprim si një “skandal” dhe ka theksuar se kjo sjellje po e kthen PD-në në një formë të ngjashme me ish-Partinë e Punës.
“SKANDAL! Partia Demokratike sot ku dallon nga ish Partia e Punës? Përjashton çdo lloj zëri ndryshe. Para ca kohësh përjashtuan Salianjin. Dje Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun. Po nesër???”, shkruan ai në reagimin e tij në Facebook.
Në një postim tjetër, ai shton: “Nëse votat që kam marrë unë i janë shkruar Edi Ramës, kjo qëndron. Nëse i janë shkruar Partisë Demokratike, ky është një mashtrim i ulët. Rreth 5 mijë vota i kam marrë duke pasur mbështetjen e Arlind Boshkut dhe Dritan Burgijës”.









