Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të shtunë një takim të përbashkët me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, në Pallatin e Kongreseve, duke filluar në orën 11:00.
Mbledhja do të hapet nga kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryeministri Rama për të diskutuar çështjet aktuale.
Në agjendë është parashikuar një prezantim i drejtoreshës së Kadastrës, Lorena Goxhobelli, e cila do t’u përgjigjet deputetëve lidhur me shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve.
Bashkëkryetari për reformën administrativo-territoriale, Arbjan Mazniku, gjithashtu do të japë një raport mbi progresin e reformës.
Ministrja e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Erjona Ismaili, do të prezantojë strategjinë e komunikimit të qeverisë me institucionet dhe publikun. Mbledhja pritet të përmbyllet me fjalët përfundimtare të kryeministrit Rama dhe kryetarit Balla.









