Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka rikonfirmuar mbështetje të plotë për vendimin e Departamentit të Shtetit për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.
Gjatë një bashkëbisedimi në “Harvard Institute of Politics”, Blinken theksoi se nuk kishte asnjë dyshim apo hezitim për këtë vendim.
“Unë qëndroj plotësisht pas sanksioneve të vendosura ndaj z. Berisha. Nuk kam asnjë hezitim apo dyshim për këtë vendim,” tha ai në një audiencë të mbushur në Harvard.
Pyetja iu drejtua nga shtetasi shqiptar Fatjon Semanjaku, i cili rikujtoi vendimin e administratës së mëparshme amerikane për shpalljen “non grata” të Berishës, dhe kritikoi vizitën e Blinken në Shqipëri, ku cilësoi kryeministrin Edi Rama “lider të shquar”. Semanjaku ngriti pyetjen për dyert e Zyrës Ovale nëse ai do të bëhej kryeministër i Shqipërisë dhe lidhjen e kësaj me ndikimin e George Soros.
Në përgjigjen e tij, Blinken u shpreh: “Më vjen shumë keq për atë që keni kaluar personalisht, askush nuk duhet të kalojë atë që përshkruat.
Por qëndroj plotësisht pas sanksioneve ndaj z. Berisha. Kjo nuk flet për administratën, por për mangësitë e Berishës.”
Në fund, Blinken e cilësoi këtë si një “ndryshim gjykimi”, duke vazhduar të mbështesë vendimin që ishte marrë. Ndërkohë, Berisha ka konsideruar shpalljen “non grata” si një veprim të padrejtë, të diktuar nga ndikimi i George Soros.









