Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar të premten për vizitë zyrtare në Francë ku do të ketë një drekë pune me presidentin Emmanuel Macron.
Të enjten presidenti i Serbisë deklaroi se Kurti do të takohet me Macronin duke pretenduar se do t’i paraqesë dy kërkesa presidentit francez që forcat e NATO-s në Kosovë të largohen nga zona kufitare dhe të zëvendësohen me Forcat e Sigurisë së Kosovës në zonën tokësore të sigurisë.
“Shpresoj që askush në NATO nuk do ta mendojë ta mbështesë këtë kërkesë, jam i sigurt se miku im Macron nuk do ta mendojë ta mbështesë. Do të ishte sulm direkt për paqen, popullin tonë, të gjithë Serbinë, dhe jam i sigurt se nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.
Kërkesa e dytë? Ai ka pretenduar se Kurti do t’i kërkojë Macronit që Franca t’ia kushtëzojë Serbisë përdorimin e armëve, që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve. “Kurti ka katër tema dhe dy kërkesa”, ka thënë ai.









