-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shefi i NATO-s: Europa ka rritur në 20% shpenzimet për mbrojtjen

Kryesoret

Donald Trump vazhdon të ankohet për NATO-n. Edhe të enjten e kaluar, presidenti amerikan u shpreh se ishte “shumë i zhgënjyer” me aleatët atlantikë, të cilët “nuk kanë bërë absolutisht asgjë”.

Ajo që e zemëroi Trump-in ishte refuzimi i vendeve të Aleancës për t’u bashkuar me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në konfliktin kundër Iranit, me arsyetimin “nuk është lufta jonë”.

“Ishte një test për NATO-n, mund të na ndihmoni. Nuk duhet ta bëni, nuk kemi nevojë për ju. Por nëse nuk e bëni, do ta mbajmë mend.”, shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në Truth.

Megjithatë, përveç Iranit ku veproi pa informuar asnjë aleat, Trump nuk ka arsye të mëdha për t’u ankuar. Përkundrazi. Sipas raportit vjetor të NATO-s, të paraqitur po atë ditë nga Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte, 32 vendet e Aleancës në vitin 2025 kanë investuar në mbrojtje 20% më shumë se vitin e kaluar, që përkthehet në 94 miliardë dollarë.

Jo vetëm kaq, por për herë të parë që nga viti 2014, kur u vendos objektivi në samitin e Cardiff-it, të gjithë anëtarët e Aleancës kanë arritur ose tejkaluar synimin për të destinuar të paktën 2% të PBB-së për shpenzimet ushtarake.

Mesatarisht, në vitin 2025 çdo vend i NATO-s ka shpenzuar 2,77% të PBB-së për mbrojtjen. Në total, duke përfshirë edhe buxhetin amerikan, Aleanca ka shpenzuar 1 mijë e 400 miliardë dollarë.

Sigurisht, ndërkohë objektivi është ngritur në 5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Por sipas Rutte, viti i kaluar ka qenë një “vit kthese” dhe rezultatet konfirmojnë se Aleanca “është në rrugën e duhur për të arritur” objektivin e ri.

I njohur për lavdërimet ndaj Trump-it, ish-kryeministri holandez i dha Administratës Amerikane meritat për nxitjen e aleatëve që të veprojnë.

“Për shumë kohë, europianët dhe Kanadaja janë mbështetur tepër në forcën ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Nuk kemi marrë mjaftueshëm përgjegjësi për sigurinë tonë. Tani ka ndodhur një ndryshim i vërtetë mentaliteti.”, janë fjalët e tij.

Megjithatë, ka dallime të rëndësishme në performancën e 32 vendeve. Sipas Politico, që madje ka dhënë edhe “nota”: Polonia dhe Lituania kanë marrë vlerësimin më të lartë, A (10), me buxhet ushtarak respektivisht 4,3% dhe 4% të PBB-së.

Pak më pas, me A-, janë Letonia (3,7%), Estonia (3,4%), Danimarka (3,3%) dhe Norvegjia (3,2%). Një notë B (nota 7-8) kanë marrë Finlanda (2,9%), Greqia (2,8%), Holanda (2,6%), Suedia (2,5%), Gjermania (2,4%) dhe Turqia (2,3%).

B kanë marrë edhe Shtetet e Bashkuara, me 3,2% të PBB-së, por është një rast më vete pasi koncepti i shpenzimeve ushtarake atje nuk përfshin elemente të ndryshme si në vendet e tjera.

C (e barabartë me notën 6) kanë marrë ndër të tjera Mbretëria e Bashkuar (2,3%), Franca (2,1%) dhe Italia, e cila bashkë me Spanjën, Kanadanë dhe Belgjikën mezi ka arritur minimumin prej 2%.

Rutte, megjithatë, në konferencën për shtyp u bombardua me pyetje për qëndrimin e tij tepër servil ndaj Trump-it, të cilit nuk i mungojnë kurrë lavdërimet e tepruara dhe shpesh të sikletshme, si kur e quajti “babush”.

Edhe për luftën në Iran, Rutte e justifikoi qëndrimin e Trump-it, gjë që irritoi disa kryeqytete europiane, sipas burimeve të Financial Times.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, Rutte tha se Trump nuk i kishte paralajmëruar europianët “për arsye konfidencialiteti” që synonin të mbronin efektin e befasisë së misionit.

Në fund, Rutte tha se “NATO gjithmonë e ka konsideruar Iranin një kërcënim si për programin bërthamor ashtu edhe për atë raketor” dhe se “operacioni amerikan po i dobëson të dyja”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit