Partia Demokratike organizoi sot një tryezë për Reformën e re Territoriale që po diskutohet dhe që pritet që të miratohet deri në fund të korrikut. Por si duhet të jetë ndarja e re? Kryetari i PD-së, Sali Berisha shpalosi piketat.
“Reforma apo shkatërrimi që iu bë qeverisjes vendore pas ardhjes në pushtet të partisë së krimit, është një nga goditjet më të rënda që iu dha interesave të qytetarit shqiptar, që iu dha zhvillimit të vendit në mënyrën më absurde që shkon gjer në një krim kombëtar në Shqipëri, vendin që rreth 75-80% të territorit të saj e ka malor dhe kodrinor, u vendos një model që nuk ekziston gjëkundi, as në vendet më të sheshta të botës.
Antireforma e qeverisë vendore kishte dy kritere themelore: vjedhjen dhe votën. U shuan me një të rënë të lapsit me dhjetëra e dhjetëra komuna dhe bashki kundërshtare dhe u bënë ndarje të tilla, ku në një korpus prej 1 milionë banorë ka vetëm 4 njësi të qeverisë vendore, dhe në një korpus me 120 mijë banorë ka 7 njësi të qeverisjes vendore.
Krahasimi është Tirana dhe Gjirokastra. A mund të imagjinoni ju, në një kohë kur Kashari është qyteti i 9-të në vitin 2011, ka qenë qyteti më i madh i Shqipërisë në banorë, në regjistrimin e vitit 2011. Se regjistrimi i fundit është i falsifikuar, asnjë shqiptar e ftoj të mos i referohet, se janë shifra të gatuara një vit rresht në institutin e mashtrimit të statistikave.
Franca numëron 36 mijë komuna, potenciali më i madh bujqësor i Europës, dhe ka komuna me 1500 banorë. Ndaj dhe ne duhet të rikthejmë me përparësi në zonat kodrinore malore shërbimet dhe komunat si thirrja dhe mundësia e fundit për të mos i përjashtuar nga territori.
Duhet të përcaktohet numri i banorëve për bashkitë në qytetet satelite të qyteteve të mëdha. Duhen të rikthehen bashkitë apo komunat, sido që të jetë termi. Kamza është qyteti i gjashtë në Shqipëri sipas censusit të 2011. Duhet të krijohen bashkitë në mënyrë që aty ku është e mundur.
110 mijë banorë ka Sukthi, tani është i shuar. Sukthi është dy herë sa Shijaku për numër banorësh, por për Edi Ramën nuk ka rëndësi. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë që duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike ku të ketë dy parime: shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit” tha ai.









