-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: Ndërgjegjja urbane dhe sociologjia e koshit të plehrave

Kryesoret

Mbase në pamje të parë, ngaqë realiteti dhe objekti që diskutojmë duket pa ndonjë vlerë të veçantë, ngaqë dukja objektive dhe empirike e “koshit të plehrave” nuk ka ndonjë polivalencë të madhe sociale, direkte apo të nënkuptuar, dikujt mund t’i duket se nuk është shumë e kënaqshme të flasësh për mbeturinat e konsumit dhe hedhjet urbane, apo të “filozofosh” qoftë edhe metaforikisht për lidhjen e nivelit dhe cilësisë së qytetërimit, të problemeve që sociologjikisht gjenden pas tyre, të interpretosh lidhjen e civilizimit dhe simbolikën sasiore e cilësore të mirëqenies me sasitë dhe cilësitë e hedhjeve të qytetarëve në “koshin e plehrave”.

Në të vërtetë problemi është kompleks. Sa fizik, si objekt i pranishëm në lagjet e rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona, apo edhe në kuptimin simbolik, si “depozitë” etike, në të cilën depozitohen mbetjet e disa traditave, zakoneve e ritualeve të skarcifikuara nga tranzicioni i kalimit nga shoqëria tradicionale në atë postmoderne, e cila është epokë me intensitet të lartë seleksionues të nivelit të konsumit dhe sistemit të vlerave, që përbëjnë bazamentin ekzistencial, “çimenton sociale” të shoqërisë së sotme shqiptare.

Në këtë kontekst, esenca fizike dhe kuintesenca filozofike e sociologjike e “koshit të plehrave” duhet parë në shumë struktura analitike e prerje sociologjike, të lidhura me konceptimin e duhur të rolit social empirik e konkret, por edhe domethënieve kuptimore, të lidhura me habitatin e sotëm të ndryshuar radikalisht në sistemin e jetës së shoqërisë dhe e bashkëngjitur me “habitusin” (sistemin e sjelljeve dhe zakoneve të reja) të kuptueshme, të ndryshueshme, të natyrshme për tipologjinë e qytetarit të kohës sonë.

Kjo është arsyeja pse mendoj se është e udhës, që krahas objekteve, problemeve konceptuale e turbulencave etike që ka në esencën e vetë shoqëria jonë, institucionet fondamentale të saj (politika, familja, martesa dhe divorci, shkolla, brishtësia e sistemit të shërbimeve sociale e shëndetësore, plakja e popullsisë, rënia e natalitetit), të cilat janë të rëndësishme dhe ekzistencialisht me vlerë kapitale, nuk është e tepërt edhe një vështrim më i gjerë sociologjik për dukjen dhe thelbin, atë që shfaqet dhe atë që fshihet apo nënkuptohet, pikërisht në një element në pamje të parë pa ndonjë rëndësi, sikurse janë hedhjet urbane dhe objekti specifik i destinuar për to, sikurse është “koshi i plehrave”.

I cili sociologjikisht nuk është vetëm send material, me probleme të shumta kulturore të përdorimit dhe shpërdorimit të tyre në kuptimin fizik, por është e udhës që pas kësaj pamjeje aspak të hijshme, për shkak të defekteve të kulturës qytetare, duhet parë dhe vlera simbolike e tij. Sepse në thelb pas “mbetjeve dhe hedhurinave” urbane, gjenden të sintetizuara shumë probleme me natyrë komplekse: ekologjike, kulturore, urbane e sociale.

Unë mendoj se na duhet një shikim tjetër, më i gjerë, më adekuat për të vlerësuar domethënien sociologjike, metaforike e logjike të esencës urbane të këtij objekti kaq shumë masiv në jetën tonë të përditshme. Ndoshta lidhja e qytetarit me “koshin” është e përditshme dhe kjo e rrit peshën sinjifikative të asaj që vëzhgojmë, që duket apo fshihet pas hedhjeve familjare. Në këtë kontekst, besoj së në shoqërinë e sotme shqiptare, sintagma sociale e “koshit të plehrave” është një “nyje sintetike”, në të cilën në mënyrë metaforike, teorike e praktike janë të përfshira elementët material të mbetjeve urbane.

Por në kuptimin më të gjerë social dhe sociologjik, është edhe një “kosh” tjetër hedhjesh dhe mbeturinash, në të cilën herë depozitohen për arkivim dhe herë flaken si të pa vlera, të dëmshme, penguese e të panevojshme “mbetje” të një natyre tjetër, sikurse janë disa tradita, zakone e rituale, të cilat koha i ka demoduar dhe nxjerrë jashtë përdorimit social.

Por në këtë shkrim synoj të vlerësoj pas konceptit në radhë të parë por dhe realitetit të “koshit të plehrave”, ato komponentë që kanë lidhje dhe janë tregues të nivelit, cilësisë, evolucionit material dhe ndryshimeve kulturore të jetës urbane e sociale. Pra, ato elemente materiale e sociale, të dukshme e banale, por edhe të padukshme apo të nënkuptuara, që duke qenë të lidhura me këtë “objekt fizik”, por që në trajtë sinjifikative lidhen dhe kthehen në tregues jo pa rëndësi për mirëqenien dhe strukturën dhe nivelin e kulturës qytetare. Jo vetëm kaq, është e udhës të vlerësojmë sinjifikacionin sociologjik të “koshit të plehrave”, si objekt që mund të shërbejë edhe si tregues i tërthortë i nivelit të mirëqenies dhe kulturës qytetare.

Në koshin e plehrave nuk është vështirë të vëzhgosh dhe dallosh praninë e objekteve si mbetje urbane, por që në esencën e tyre janë tregues të natyrshëm të shfaqjes së pabarazisë sociale, që shfaqet që nga “lënda” në qeskat individuale deri te konsiderimi i totalitetit të mbetjeve, objekteve të flakura pas përdorimit në koshin e hedhjeve urbane. Ne si shoqëri, dikur egalitariste në të ardhura dhe konsum të normuar e të determinuar brenda kornizave të jetës strikt kolektive, pa dallime të dukshme e kontraste të thella materiale e konsumistike, as na ka shkuar në mend që pas “koshit të plehrave”, mund të ekzistonte një “esencë sociologjike”, që mund të shërbente si instrument interpretativ për të kuptuar esencën e personalizuar të “hedhjeve në kosh” të gjërave me natyrë materiale, ideologjike, kulturore, morale e zakonore. Ky është një problem i shfaqur në kohën kur shoqëria jonë u modernizua dhe mori trajtën evidente të “shoqërisë së konsumit”.

Por si objekt debati e diskutimesh ideologjike, urbane e sociologjike në vendet e perëndimit ky problem u shtrua në “tavolinën sociaologjike” që nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Sidomos për europianët dhe amerikanët, ky problem në dukje empirik e banal u bë objekt me rëndësi interpretative për sociologjinë moderne. Shumë autorë të fuqishëm të mendimit urban, kulturor e sociologjik si Jean Baudrillard, Pjere Bourdieu, Zigmunt Bauman, Herbert Markuse, etj., i kanë kushtuar analiza e interpretime elokuente polivalencës sinjifikative të konceptit të “koshit të plehrave”, në të cilin sikurse thonë ata, përzihen probleme materiale e konsumistike, njerëz dhe mundësi të jetës reale.

Në këtë kontekst, fjala vjen, janë me vlerë jo të zakonshme analiza dhe idetë e sociologut francez Jean Baudrillard, i cili flet për dy pamje sintetike të lidhjes midis koshit të plehrave me nivelin e jetesës individuale, por edhe të mirëqenies së shoqërisë. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë sot flitet për “civilizim të koshit të plehrave” dhe për pasojë edhe për ekzistencën e një dege të “sociologjisë së koshit të plehrave” në të cilën në mënyrë sintetike interpretohet lidhja e objektit të “koshit të plehrave” me nivelin e mirëqenies. Baudrillard e shpreh këtë realitet me sintagmën sociologjike bivalente: “Më thuaj çfarë hedh, të të them se kush je”. Jean Baudrillard, “Shoqëria e konsumit”, f. 53

Ky përcaktim është përtej metaforës sociologjike, sepse për të kuptuar nivelin socio-ekonomik, qytetar e civil të shoqërisë sonë, nuk mjafton të vlerësojmë vetëm atë që prodhohet, por edhe atë që konsumohet dhe atë që mbetet dhe hidhet në “koshin e plehrave”. Kjo është arsyeja pse prerja sociologjike e këtij objekti është përtej konceptit nominal dhe empirik si objekt për hedhjen e mbeturinave urbane. Metafora është më e gjerë dhe simboli i “koshit të plehrave” është sinkretik: material dhe simbolik, kulturor dhe social.

Sidoqoftë, problemi që diskutojmë në shoqërinë tonë është shqetësues në të gjitha kuptimet dhe prerjet, materiale e metaforike. Sepse ka kohë që shoqëria jonë është përfshirë në një situate komplekse, e cila është e shoqëruar nga zhvillimi kaotik i ekonomisë, mungesa e kulturës urbane dhe defektet serioze të lidhura me sensibilitetin qytetar dhe ndërgjegjen ekologjike, që sjell realitetin e trishtë të “…pushtimit të kësaj natyre, ku gjithçka që është e gjallë, bëhet objekt skllavërimi, manipulimi apo shkatërrimi”. Edgar Morin, “Rruga”, f. 95

Prandaj është moment kur duhet parë edhe ana tjetër e problemit, që ka të bëjë me atë që sociologët postmodernë e quajnë “civilizim i koshit të plehrave”. Një problematikë që është realitet social konkret, fenomen i ndeshur gjerësisht në shoqërinë tonë. Në mënyrë metaforike, “koshi” tregon se shoqëria shqiptare është dikotomike, duke pasur paralelisht një pjesë të shoqërisë së varfëruar dhe një pjesë tjetër me konsum të tepruar, që prodhon sasira të tepërta mbetjesh dhe që shoqërohet edhe me degradim të vlerave kulturore e mjedisore.

Nga njëra anë në “koshin e plehrave” është i pasqyruar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë realiteti i diferencuar nivelit të konsumizmit dhe mirëqenies, tiparet e mënyrave të ndryshme të jetesës. Lloji i mbetjeve thonë sociologët tregon edhe stilin e jetesës, larminë e ushqimit, nivelin e teknologjisë së përdorur, stadet e varfërisë apo luksit. Por aty gjendet e kondensuar edhe niveli i pabarazisë sociale në shoqëri, midis atyre që hedhin mbetje me tepri dhe atyre që “gërmojnë” në këto kazane për të siguruar mbijetesën.

Por ka dhe një aspekt urban dhe ekologjik të sintetizuar po aty, sepse tek ky “kosh” është sintetizuar edhe një tregues me rëndësi, që ka lidhje me mënyrën si sillemi me mbetjet, si i trajtojmë ato dhe cila është kultura urbane lidhur me përdorimin e “koshit të mbetjeve”. Aty është dukshëm e shfaqur lidhja e respektit dhe kulturës urbane të njerëzve tanë, për t’u kujdesur dhe respektuar mjedisin si përgjegjësi qytetare dhe ekologjike e qytetarit. Ndaj nuk është pa rëndësi trajtimi i sociologjisë së “koshit të plehrave”. Mënyra e trajtimit të mbeturinat si problem kulturor dhe ekologjik, në thelb është dhe duhet konsideruar si një nga treguesit thelbësor, me shumë rëndësi jetike që tregon në thelb, kulturën e marrëdhënieve të qytetarit me mjedisin dhe natyrën, duke evidentuar nivelin social dhe të personalizuar të kulturës urbane.

Është urgjente kapërcimi i sjelljeve patologjike dhe raportet material e sociale me “koshin e plehrave”. Mund t’u duket e tepërt atyre që nuk dinë të ndërtojnë raportet me trajtimin e mbetjeve, si pjesë integrale e kulturës qytetare dhe nivelin e ndërgjegjes urbane, si problem kompleks material, urban, etik dhe sociologjik. Jetojmë në kohëra të reja dhe me sa duket, “koshi mbetjeve” urbane vjen duke u rritur në sasi e “cilësi”. Kjo është tendencë e dyanshme, sepse nga që nga njëra anë po zgjerohet tendenca e individit si konsumator pasiv dhe nga ana tjetër, në shoqërinë shqiptare në mënyrë të padiskutueshme raporti prodhim, konsum, kosh po bëhet një cikël i pafund.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit