Gjatë Asamblesë Socialiste në njësinë nr.14 në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë, teksa tha se “dera e BE-së për Shqipërinë mund të mbyllet”, dhe për këtë bëri fajtore opozitën.
Fjala e Ramës
Ajo që duhet me pas të qartë është që nuk është një derë e hapur përgjithmonë, është një derë që mund të mbyllet dhe ky është një moment që nuk mund të humbet për asnjë arsye në botë. Është diçka e paimagjinueshme. Nuk e ka bërë dhe ma thonë herë pas here miqtë në Europë nuk e kemi parë kurrë, nuk e kemi parë në asnjë vend dhe me asnjë vend këtë që shohim me ju, që vijnë ca tuajt dhe nuk lënë gjë pa thënë që ky proces të mos ndodhi. Nuk e ka, asnjë. Luftë politike ka edhe në shumë vende të tjera. Nuk ja kanë bërë kurrë maqedonasit, maqedonasve këtë punë kurrë, që të shkojnë atje të thonë “shiko se atje, ata në asnjë mënyrë s’duhet lejuar se është tmerr”, këtë nuk e kanë bërë, por ne kësaj s’kemi çfarë t’i bëjmë. Nuk kemi çfarë i bëjmë ne, disa të paudhëve që nuk e kanë fare idenë se me çfarë merren, domethënë se çfarë gjëje po tentojnë të dëmtojnë, po tentojnë të dëmtojnë një moment ku fati, historia po i buzëqesh shqiptarëve që s’i ka buzëqesh ndonjëherë me thënë të drejtën.
Është diçka madhështore dhe është gjëja më e jashtëzakonshme që ne mund të bëjmë për fëmijët tanë. Ndërkohë që e kundërta është gjëja më dramatike, s’po them tragjike se jeta vazhdon, por më dramatike që ne mos t’ia dalim dot sepse në qoftë se ajo derë mbyllet, do duhen vitet që të hapet prapë.
Vetëdija e kësaj është shumë e rëndësishme për atë që kemi në jetën e përditshme me njerëzit në kafe, me njerëzit në punë, me njerëzit në rrugë. Është shumë e rëndësishme. Ndryshon gjithçka.









