Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar në lidhje me disa takime të zhvilluara në njësinë 5, ku sipas tij, mbledhjet u zhvilluan pa praninë e tij.
Në një postim në Facebook, Braçe falënderon qytetarët për mbështetjen dhe mesazhet, por paralajmëron se shmangia e deputetit të zonës nga proceset vendimmarrëse është e gabuar dhe dëmton marrëdhëniet me qytetarët.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
#TIRANAEMADHE
NISUR NGA #5sa
JAVA E MIRE E #PASHKES DHE HUDHRA QE NUK DUHET!
Ishte realisht një javë e mirë; mbyllet sot dhe dua t’i them disa fjalë:
- Shumë faleminderit edhe një herë për gjithë mesazhet, telefonatat, përkrahjen, mbështetjen, vlerësimet, gatishmërinë për të punuar bashkë. Shumë faleminderit posaçërisht socialisteve të asambleve të PS me të cilët u takova dhe shtrengova duart këtë javë; ju jam shumë mirënjohës!
- Faleminderit gjithashtu për urimet e ditës së lindjes edhe pse kam kohë që kujtoj ngjarjet e jetuara në një vit më shumë se sa numrat!
- Urimet për Pashkë i kemi bashkë, kjo javë, me Bajramin që i parapriu dhe Pashkën Ortodokse që pason, është përshkrimi prej Zotit i asaj që jemi në një dimension; kështu që gëzuar kujtdo!
TANI HUDHRA E JAVËS:
Një histori e parë që përsëritet dhe më ndjek nga mbrapa nga Lushnja e Divjaka; një histori deliri dhe e padenjë, krejtësisht joproduktive dhe që kërkon të ndërtojë madhështinë qesharake, gjithnjë duke më ndjekur pas.
Shikoni; kjo mani për të shkulur deputetin nga zona me arsyen se krijon lidhje njerëzore dhe mezi shkulet pastaj, është gabim; jo për deputetin, por për njerëzit! Paqëndrueshmëria në marrëdhënie me ta është mungesë serioziteti dhe dëmton punën. Politika është punë me njerëzit, marrëdhënie besimi që nuk vendoset me orë, as ditë, por merr vite! Po flas për deputetët që territorin e kanë punë, jo për ofiq, as për mburrje, as për delegim për njerëz pa mandat, pa njohje, pa dije e pa ndikim kund!
Thënë kjo, të zëvendësosh deputetin e votuar nga njerëzit me drejtorokracinë është e pamend, sado elegant të jetë emri që i vëmë; krejtësisht e pamend në raport me qëllimet, veçanërisht kur delegon pushtet partiak tek ata për të kapërcyer deputetin; veçanërisht kur harron se një arsye pse punëtorët e partisë demotivohen është drejtorokracia e padurueshme.
Në fund, kjo paranoja “Erionin e kemi kundër”, pasuar me këtë “markim” që kurre s’u bë karburanteve – fjala bie, por njerëzve ju bëhet – është qesharake, sinqerisht! Ua thashë edhe në Asamblenë e 5: s’e kam kundër Ogjertës; thjesht dua të jem PS dhe qytetit që nuk po qeveriset dhe nuk shërben një alternativë tjetër. Me thjeshtë se kaq nuk ka!









