Shpëtimi i anëtarit të ekuipazhit të avionit luftarak amerikan të rrëzuar në Iran u bë i mundur falë një operacioni të koordinuar mes inteligjencës dhe forcave speciale, ku rol kyç luajti Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), ndërsa urdhri përfundimtar erdhi nga Donald Trump.
Sipas Axios e cila citon zyrtarë amerikanë, oficeri i sistemeve të armëve mbijetoi pas hedhjes me parashutë nga avioni F-15 dhe arriti të shmangte kapjen për më shumë se një ditë në zonat malore të Iranit.
Situata u kthye në një garë kundër kohës, pasi edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ishte në kërkim të tij.
Në prapaskenë, CIA ndërmori një operacion mashtrimi, duke përhapur informacione të rreme brenda Iranit se oficeri ishte gjetur tashmë dhe po largohej nga vendi me mjete tokësore.
Paralelisht, agjencia përdori kapacitete të avancuara për të lokalizuar vendndodhjen e tij të saktë.
Pasi identifikoi pozicionin e oficerit, CIA ia transmetoi informacionin Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë, çka çoi në vendimin për ndërhyrje të menjëhershme.
Presidenti Trump, i cili ndoqi operacionin nga Salla e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, dha urdhrin për nisjen e misionit të shpëtimit, raporton Axios.
Operacioni u realizua nga forcat speciale amerikane me mbështetje të fuqishme ajrore.
Sipas burimeve të Axios, avionët amerikanë goditën forcat iraniane për t’i mbajtur larg zonës ku ndodhej oficeri, ndërsa komandot ndërhynë për ta nxjerrë nga territori armik.
Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar këtë si një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë ushtarake të vendit.
Shpëtimi i ekuipazhit të një avioni të rrëzuar është një nga operacionet më komplekse dhe urgjente, i njohur si kërkim-shpëtim luftarak (CSAR), për të cilat përgatiten ushtria amerikane dhe aleatët e saj.
Njësitë ajrore që kryejnë misione CSAR përfshijnë disa nga pjesëtarët më të trajnuar dhe të specializuar të ushtrisë.
Misionet shpesh kryhen me helikopterë, të cilët fluturojnë në lartësi të ulët mbi territorin armik, të shoqëruar nga avionë të tjerë ushtarakë që kryejnë goditje dhe patrullojnë zonën.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Trump tha se piloti, një kolonel, “ndodhej pas vijave armike në malet e rrezikshme të Iranit, duke u ndjekur nga armiqtë tanë, të cilët po afroheshin gjithnjë e më shumë çdo orë”.
Presidenti shtoi se vendndodhja e tij monitorohej “24 orë në ditë” nga zyrtarë të lartë amerikanë që po planifikonin operacionin e shpëtimit.
Më herët, Irani kishte deklaruar se dëshironte ta gjente të gjallë amerikanin e zhdukur dhe kishte ofruar shpërblim për qytetarët që do të ndihmonin në gjetjen e tij.
Ekuipazhi i një avioni të rrëzuar është i trajnuar posaçërisht për situata të tilla.
“Prioriteti numër një i tyre është të qëndrojnë gjallë dhe të shmangin kapjen,” tha për BBC Jennifer Kavanagh, drejtoreshë e analizës ushtarake në think tank-un “Defense Priorities”.
“Ata trajnohen që, nëse janë fizikisht në gjendje dhe jo aq të plagosur sa të mos mund të lëvizin, të largohen nga vendi i hedhjes sa më shpejt dhe të fshihen në mënyrë që të jenë të sigurt.”
Ata gjithashtu trajnohen për teknika mbijetese, në mënyrë që të përballojnë mungesën e ushqimit apo ujit, ose të gjejnë burime në terren, për aq kohë sa të jetë e mundur, shtoi Kavanagh.
Ku dhe kur u rrëzua avioni?
Media shtetërore iraniane raportoi fillimisht të premten se forcat e vendit rrëzuan një avion amerikan në jug të Iranit. Vendndodhja e saktë mbetet e pakonfirmuar, por janë përmendur dy provinca: Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, si dhe Khuzestan.
Dy persona ndodheshin në bord. Piloti u shpëtua në një operacion të mëhershëm, i cili sipas raportimeve përfshinte edhe një avion A-10 Warthog që u godit mbi Gjirin, ndërsa piloti i tij u hodh me parashutë përpara se të shpëtohej.
Një helikopter që transportonte pilotin e shpëtuar nga avioni F-15E u godit me armë të lehta, duke plagosur anëtarë të ekuipazhit, por arriti të ulej në mënyrë të sigurt, raportuan mediat amerikane.
IRGC tha gjithashtu se fise nomade në malet e Iranit qëlluan dy helikopterë Black Hawk që ishin pjesë e misionit amerikan të shpëtimit.
BBC Verify ka konfirmuar një video nga e premtja që tregon tre persona të armatosur duke qëlluar drejt të paktën dy helikopterëve Black Hawk.
Komanda e lartë ushtarake e Iranit i atribuon sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore rrëzimin e avionëve amerikanë, sipas agjencisë shtetërore IRNA.
Nuk dihet saktësisht se çfarë e rrëzoi këtë avion amerikan, por nëse është goditur nga iranianët, arsyeja më e mundshme është një raketë tokë-ajër (SAM).









