Kryeministri Edi Rama ka mohuar lajmet që kanë qarkulluar në media se Brukseli ka frenuar procesin e integrimit për shkak të dosjes Balluku. Kreu i qeverisë tha se këtë e synojnë ata që duan të pengojnë Shqipërinë për të penguar qeverinë, referuar opozitës.
“Negociatat vazhdojnë, procesi i integrimit është në vijë. Gënjeshtra e madhe se negociatat janë bllokuar, ndalur, penguar për arsyet e mos arsyes të të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të penguar qeverinë. E vërteta është që kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon dhe së shpejti do të kemi lajme shumë të mira” tha ai.
Më së pari, uroj Gëzuar Pashkët! Gëzuar Pashkët besimtarëve katolikë, atyre ortodoksë, por gëzuar Pashkët edhe të gjithë shqiptarëve, sepse bekimi i Shqipërisë është që, qofshin Krishtlindje e qoftë Bajram, qofshin Pashkë e qoftë Sulltan Novruzi, ka një atmosferë të përgjithshme dëshire për të përjetuar së bashku festën e një komuniteti tjetër besimi. Gëzuar, pra!
Punët e Shqipërisë
Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtuesit e organizatave tona në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, në nivelin e njësisë administrative dhe në nivelin e bashkisë.
Por, në ndërkohë, kjo ka rëndësi për këto shënime, sepse nuk është thjesht një fushatë e brendshme organizimi dhe energjizimi, por është edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe mes nesh dhe të gjithë atyre që na mbështesin, që na besojnë apo që kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe që t’i dëgjojmë, pasi jetojmë në një kohë kur bëhet gjithmonë më e vështirë për të mësuar të vërtetën apo për të marrë informacionin e drejtpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson. E kundërta ndodh! Je menjëherë i përmbytur nga gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, nga gënjeshtra safi, që i thonë fjalë nga sajesa e fabrikime, dhe nga komente gjithfarësh, që në fund të ditës më shumë e mjegullojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e të vërtetës, dhe thuhen nga të tëra, dëgjohen nga të tëra, por ajo që është më shqetësuesja, për sa më takon dhe për sa na takon, është se nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Po përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre. Shqipëria ka probleme, patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë, pa dyshim; jo çdo punë e kemi bërë si duhet dhe sa duhet, kjo nuk ka diskutim, por ama Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë. Ashtu si kundër, dhe e mbyll këtë shënim, është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë.
Dyfisho ndërmarrjen tënde
Kjo javë ka qenë java e punës edhe për një program që qeveria shqiptare do të bëjë së shpejti të disponueshëm për të gjithë të interesuarit: programi “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”. Një program i bazuar te bashkëpunimi mes qeverisë së Shqipërisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, për të hapur një linjë të re kredie dhe për të vendosur instrumente të rinj garancish për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që e kanë krijuar një bazë, që kanë një vizion rritjeje, që kanë ambicien dhe vullnetin për t’u rritur, por që kanë pikërisht pamundësinë për ta mbështetur vizionin dhe ambicien e tyre me kapital të mjaftueshëm dhe akses në financë.
Pikërisht këtë po bën qeveria me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë. Kemi pasur një takim shumë të dobishëm pak ditë më parë, gjatë javës që lamë pas, dhe kemi dakordësuar që brenda një muaji, pra në fillim të muajit maj, do të bëjmë edhe shpalljen e programit, me firmosjen ceremoniale të të gjitha marrëveshjeve të nevojshme, për t’i vënë në dispozicion të gjithë atyre që duan të rriten një garanci dhe një financë që të çojë në dyfishimin e ndërmarrjes së tyre.
Miratimi i Aktit Normativ për uljen e akcizës
Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike. Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike.
Miratohet Skema Kombëtare e Bujqësisë 2026
Këtë javë është miratuar edhe skema kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026, e cila u ndërtua mbi konsultime intensive të drejtpërdrejta në të gjitha qarqet me fermerët dhe është orientuar prej tyre. Për këtë arsye, skema rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët, jo thjesht në aspektin e volumit financiar, por edhe në aspektin e lehtësimit të kushteve për ta përfituar atë që çdo fermeri i takon nga skema dhe, njëkohësisht, duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim më të mirë të zinxhirit të vlerës. Për herë të parë përfshihen në skemë forma mbështetjeje të cilat nuk kanë qenë të përdorura deri më sot. Ndërsa një tjetër risi është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, përmes mbështetjes së metodave biologjike dhe afrimit me standardet europiane. Një fokus i veçantë i skemës janë edhe fermerët e rinj, për të cilët është parashikuar një fond i konsiderueshëm që mbështet investimet e tyre dhe, nga ana tjetër, skema në tërësi forcon prodhimin vendas, sepse ky është një synim parësor, rrit konkurrueshmërinë duke krijuar më shumë mundësi dhe akses dhe, sigurisht, inkurajon përafrimin me standardet europiane.
Rritja e të ardhurave buxhetore në nivel historik
Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, një pasqyrë kuptimplotë e fuqizimit të saj. Në të kundërt të gjithë atyre që predikojnë rritjen e korrupsionit dhe rritjen e abuzimit, ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe. Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë. Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë me ata që na kanë mbështetur dhe na kanë zgjedhur këtë moment të rëndësishëm, duke u thënë se vota e tyre vlen dhe vlerësohet çdo ditë, në çdo hap, në çdo sektor, dhe ky i rritjes së të ardhurave është një shembull shumë kuptimplotë.









