Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po grabit 4 miliardë euro me portin e Durrësit, plus 1 miliard gjobë ndaj shqiptarëve për portin e ri. Më tej gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale tha se dosja Balluku dhe mbrojtja që po i bën sipas tij kreu i qeverisë ka bllokuar integrimin e Shqipërisë.
“Ndërkohë, zemërimi dhe revolta e qytetarëve shqiptarë po zien gjithmonë e më shumë. Unë dje isha në Durrës për një nga aferat më tronditëse, atë të portit të Durrësit. Porti i Durrësit, që Edi Rama do ta shndërrojë në Dubain e 1001 netëve përbën një grabitje të pasurisë publike prej të paktën 3.8 gjer në 4 miliardë euro dhe një gjobë për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano prej 1 miliardë euro.
Ndërkohë duhet thënë se Porto Romano me përmasat dhe projektin që ka është një port që zhvlerëson në mënyrë përfundimtare portet e Shqipërisë, u jep përparësi porteve të tjera të rajonit. Ky port ka një të katërtën e kapacitetit aktual të portit të Durrësit, dhe një të tetën gjer në një të pesëdhjetën e porteve të rajonit.
Kështu që Shqipëria nga një vend me port strategjik për BE siç është porti i Durrësit, del në një vend pa porte të rëndësishme dhe kjo vetëm e vetëm që Edi Rama të bëhet supermiliarder. Ndaj dhe u ftoj të debatojmë për këto çështje dhe çfarë çështje e konsideroni të rëndësishme. Betohet se Shqipëria nuk ka korrupsion të lartë. Mbulon de facto bllokimin e votimit të raportit IBAR në BE.
Ky raport që ka të bëjë me standardet, luftën kundër korrupsionit, me shtetin ligjor, është e pesta herë që është trajtuar para dy ditësh me datën 9 dhe e vërteta është që nuk kanë rënë dakord që të votohet, ndonëse ky është një raport i ndërmjetëm dhe vendimi këtu nuk është përfundimtar, është thjesht një vendim i ndërmjetëm. Po as për këtë vendim me datën 9 prill, pas diskutimesh të gjata, vendet anëtare jo vetëm që nuk votuan, shtuan për Shqipërinë edhe një seri kushtesh dhe kërkesash të tjera” tha ai.









