Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit lidhur me korrupsionin në Shqipëri, duke theksuar se realiteti ekonomik dhe institucional është i kundërt me propagandën qeveritare.
Ajo theksoi se korrupsioni në vend ka marrë karakteristikat e një sistemi të konsoliduar dhe se ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke i varfëruar ata.
Sipas Tabakut, më shumë se një dekadë është ndërtuar një mekanizëm ku vendimmarrja publike dhe fondet shtetërore janë orientuar drejt një grupi të ngushtë, të lidhur me pushtetin.
Reagimi i plotë:
Korrupsioni shkaku varfërisë në shtëpitë shqiptare
Prej më shumë se 12 vitesh, Shqipëria është kthyer në burimin e një korrupsioni që nuk është më i vogël dhe as i fshehur në tavolinat e institucioneve. Sot korrupsioni nuk është më fenomen sporadik, por është sistem. Një sistem i ndërtuar, miratuar dhe ushqyer në zyrat e qeverisë socialiste dhe i vulosur nga një Kuvend që i bindet nevojave të saj.
Një sistem që kontrollon të gjithë tenderat publikë, të cilët në fund përfundojnë tek një pakicë. Në formë dhe në dukje mund të paraqiten si tendera të hapur, por në thelb janë tendera të paracaktuar, që i shkojnë një grupi të ngushtë, të lidhur drejtpërdrejt me interesat e qeverisë dhe, mbi të gjitha, me projeksionet e saj elektorale.
Shifrat nuk të lënë të gënjesh dhe nuk lënë vend për interpretim. Shqipëria renditet me vetëm 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, plot 25 pikë larg mesatares së Bashkimit Europian. Vetëm brenda një viti, vendi ka pësuar një rënie prej 3 pikësh — rënia më e madhe në dekadë. Ndërkohë, 1 në 4 qytetarë pranon se ka paguar ryshfet për të marrë një shërbim publik.
Edhe më shqetësuese është panorama institucionale. Vetëm 19% e rekomandimeve të GRECO janë zbatuar, çka tregon mungesë të theksuar vullneti për reforma reale. Prokurimet publike vazhdojnë të konsiderohen me risk të lartë korrupsioni nga Departamenti Amerikan i Shtetit, vit pas viti. Në të njëjtën kohë, një grusht kompanish përfitojnë mbi 30% të tenderave publikë, duke mbyllur tregun dhe duke eliminuar konkurrencën.
Kuvendi i Shqipërisë sapo ka miratuar ligjin e 18-të me porosi, duke u kthyer në një noter që vulos një sistem që u merr shqiptarëve të ardhurat dhe i varfëron ata. Vendimet e këshillave bashkiake dhe ligjet shkruhen në zyrat e biznesit, dhe kjo është kapja e shtetit: kur interesat financiare përdorin politikën dhe parlamentin.
Por përtej shifrave, realiteti i këtij sistemi reflektohet në çdo raport ndërkombëtar për Shqipërinë. Raportet e Bashkimit Europian evidentojnë se prokurimet publike dhe PPP-të mbeten burimi kryesor i korrupsionit. Transparency International flet për ligje “me porosi” dhe për një kapje të shtetit nga interesa private. OECD dhe SIGMA theksojnë se reformat në administratë dhe në financat publike janë të ngadalta dhe të pamjaftueshme. Ndërsa indikatorë të tjerë ndërkombëtarë tregojnë se, pavarësisht disa përmirësimeve teknike, korrupsioni në nivelet e larta dhe në menaxhimin e burimeve publike mbetet problematik.
Pra, problemi nuk është më perceptim. Është strukturë. Është mënyra si funksionon shteti.
Në këtë realitet, ajo që qeveria përpiqet të bëjë sot është të maskojë arritjet e SPAK. Një institucion që në fakt po heton një pjesë të konsiderueshme të kontratave publike dhe PPP-ve, paraqitet si sukses i qeverisë. Por e vërteta është ndryshe: ndërkohë që SPAK merret me pasojat, qeveria vazhdon të prodhojë shkakun dhe e sulmon sa herë që hetimet afrohen me pushtetin.