Disa aktivistë të Lëvizjes Bashkë janë përplasur këtë 14 prill, me policinë teksa po protestonin përpara Pallatit të Kongreseve, ku po mbahet Samiti i IV për Diasporën.
Ata shihen me një banderolë në të cilën shkruhet “O me Belindën, o me BE”, referuar mbrojtjes që i bënë socialistët ish zv kryeministres dhe ministres në Kuvend duke mos i hequr imunitetin e deputetes.
Reagimi i plotë
O ME BELINDA BALLUKUN, O ME BASHKIMIN EVROPIAN!
Sot, përpara Pallati të Kongreseve, aktivistët e Lëvizjes BASHKË ngritën një banderolë kundër hipokrizisë së pushtetit, ndërkohë që brenda zhvillohej spektakli propagandistik i radhës nga Edi Rama dhe Partia Socialiste për diasporën.
Aktivistët u përballën me forcë policore dhe 5 prej tyre u shoqëruan në Komisariatin nr. 1. Kjo është fytyra reale e një qeverie që flet për Evropë, por sillet si regjim që shtyp çdo zë kundërshtimi.
Nuk mund të flasin për diasporën ata që e prodhojnë atë çdo ditë.
Nuk mund të kërkosh votën e emigrantëve, kur politikat e tua i kanë detyruar të largohen.
Nuk mund të flasësh për Bashkimi Evropian, kur në praktikë dhunon të drejtat themelore në vendin tënd.
Çdo vit që kjo qeveri qëndron në pushtet, Shqipëria humbet dhjetëra mijëra qytetarë. Ata ikin jo për aventurë, por për mbijetesë. Ikën nga varfëria, nga padrejtësia, nga një sistem që u mbyll çdo derë.
Ndërkohë, në vend të zhvillimit dhe shpresës, kemi një shtet që u shërben një grushti oligarkësh dhe një propagandë që përpiqet të fshehë realitetin.
Sot, në rrugë u tha e vërteta dhe për këtë, pushteti reagoi me dhunë.
Por historia ka treguar se asnjë propagandë nuk e mbulon dot realitetin, dhe asnjë pushtet nuk është i përjetshëm.
Rruga drejt Bashkimi Evropian kalon nga lufta kundër korrupsionit, jo nga mbrojtja e tij. Me Belinda Balluku dhe modelin që ajo përfaqëson, Shqipëria nuk afrohet me Evropën, por largohet prej saj!









