Besëlidhja ka fituar titullin kampion të Kategorisë së Dytë, pas finales së luajtur ndaj Orikut në stadiumin “Niko Dovana”.
Të dy ekipet kishin siguruar më herët ngjitjen në Kategorinë e Parë, pasi kishin dalë fituese në grupet e tyre respektive, por përballja finale përcaktoi edhe skuadrën që do të ngrinte trofeun e sezonit.
Në një ndeshje të ekuilibruar dhe me ritëm, Besëlidhja doli fituese me rezultatin 2-0. Golat e takimit u realizuan nga Gurbanov dhe Raboshta, duke i dhënë ekipit një sukses të merituar dhe trofeun e kampionit.
Pas vërshëllimës së fundit, në stadium mbizotëroi festa e lojtarëve dhe stafit të Besëlidhjes. Më pas u zhvillua ceremonia zyrtare e ndarjes së trofeut, ku presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi kupën skuadrës fituese, duke mbyllur kështu një sezon të suksesshëm për klubin lezhjan.









