Mjeku dhe pedagogu në Fakultetin e Mjekësisë, Admir Sinamati, përmes një postimi në faqen e tij facebook, ka publikuar foton e provimit të studentes së Mjekësisë Bora Keçi, ku e cila disa ditë më parë së bashku me babain e saj humbi jetën në një aksidetn tragjik në Lezhë.
Në postimin e tij Sinamati shprehet se është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike.
Postimi i Sinamatit
Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.
Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm. Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.
Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës – Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.