Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se çdo kompani detare që paguan tarifa ndaj Iranit për të kaluar nëpër Ngushtica e Hormuzit rrezikon të përballet me sanksione, edhe nëse pagesat bëhen në formën e “donacioneve”.
Sipas Departamentit të Thesarit, pagesat ndaj Iranit, përfshirë edhe ato që paraqiten si ndihmë humanitare për organizata si Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane, mund të konsiderohen shkelje dhe të sjellin pasoja ligjore.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë. Rreth 20% e transportit global të naftës dhe gazit kalon përmes saj.
Sipas autoriteteve amerikane, Irani ka propozuar vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në këtë zonë, si pjesë e ideve për t’i dhënë fund konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin.
Në një deklaratë, OFAC bëri të ditur se SHBA është në dijeni të presioneve dhe kërkesave të Iranit ndaj kompanive detare për pagesa në këmbim të kalimit të sigurt.
Paralajmërimi vjen në një moment të ndjeshëm, kur Irani ka dërguar edhe një propozim të ri për negociata me SHBA-në përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Sipas OFAC, pagesat mund të bëhen në forma të ndryshme, si para cash, valuta digjitale, marrëveshje të fshehta apo edhe donacione simbolike për institucione iraniane apo llogari të ambasadave.
“Ky paralajmërim synon të informojë si qytetarët amerikanë ashtu edhe të huajt për rrezikun e sanksioneve që lidhet me këto pagesa ndaj regjimit iranian apo për kërkimin e garancive për kalim të sigurt”, thuhet në deklaratë.









